Shtetet e Bashkuara kërkojnë një pauzë gjashtë-javore të luftimeve mes Izraelit dhe Hamasit në Gaza, si hap i parë drejt një armëpushimi më afatgjatë, e pohuar kjo nga presidenti Joe Biden.
Biden i bëri këto komente pas bisedimeve me Mbretin Abdullah të Jordanisë në Shtëpinë e Bardhë, të fokusuara tek konflikti mes shtetit hebre dhe grupit militant palestinez, dhe frika që rrethon ofensivën e pritshme izraelite në jug te enklavës.
“Ka shumë civilë të pafajshëm dhe fëmijë në mesin e mbi 27 mijë palestinezë të vrarë në këtë konflikt. Po flasim këtu për mijëra fëmijë. Dhe janë me qindra mijëra njerëz sot që nuk qasje tek ushqimet, uji dhe shërbimet bazike”- tha Biden.
Presidenti amerikan, i cili ka shfaqur pakënaqësi në rritje me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu lidhur me ofensivën në Gazë, sqaroi se Shtetet e Bashkuara po punojnë me aleatët në rajon për një marrëveshje për ndaljen e luftimeve për të lejuar lirimin e pengjeve të Gazës dhe shtimin e ndihmës humanitare. Marrëveshja do të parashikonte një pauzë në luftime prej të paktën gjashtë javësh, “gjatë të cilave mund të punohet për të ndërtuar diçka më të qëndrueshme,” ishte komenti i tij. Mbreti Abdullah ripërsëriti thirrjen për një armëpushim të gjerë.
“Ne nuk mund të lejojmë që kjo të vazhdojë. Kemi nevojë për një armëpushim të qëndrueshëm tani. Kjo luftë duhet të përfundojë”- është shprehur Mbreti Abdullah i Jordanisë.
Bideni i kërkoi Izraelit edhe një herë të mos nisë mësymjen në Rafah pa një plan për të mbrojtur civilët palestinezë të mbledhur atje, të cilët i përshkroi si “të ekspozuar dhe të cënueshëm”. Janë mbi 1 milionë palestinezë të strehuar në qytetin jugor, kujtoi ai; siguria e tyre duhet garantuar. Mbreti Abudllah nga ana e tij nënvizoi se çdo sulm izraelit ndaj Rafasë do të prodhojë padyshim një katastrofë të re madhore humanitare.
Top Channel