Senati i SHBA ka miratuar paketën e ndihmës prej 95 miliardë dollarësh për Ukrainën, Izraelin dhe Tajvanin pas disa muajsh debatesh, vendim i cili do të përballet me kundërshtimin e republikanëve të Dhomës së Përfaqësuesve.
Paketa e ndihmës përfshin miliarda dollarë për të mbështetur Ukrainën dhe për sigurinë për Izraelin, si dhe ndihmën humanitare për civilët në Gaza, Bregun Perëndimor dhe Ukrainë. Shumë republikanë të Dhomës së Përfaqësuesve janë kundër ndihmës së mëtejshme për Ukrainën.
Projektligji kaloi në Senat, pavarësisht kritikave të Johnson ndaj legjislacionit. Edhe ish-presidenti Donald Trump sinjalizoi kundërshtimin ndaj projektligjit duke argumentuar se SHBA duhet të ndalojë ofrimin e ndihmës së huaj nëse nuk është në formën e një kredie. Votimi i Senatit ishte 70 me 29 me 22 republikanë që votuan pro, duke përfshirë udhëheqësin e pakicës në Senat, Mitch McConnell.
Projektligji përfshin 60 miliardë dollarë për të mbështetur Ukrainën në luftën e saj kundër Rusisë, 14.1 miliardë dollarë ndihmë për sigurinë për Izraelin, 9.2 miliardë dollarë ndihmë humanitare dhe 4.8 miliardë dollarë për të mbështetur partnerët rajonalë në rajonin Indo-Paqësor, përveç dispozitave të tjera të politikave.
Senati miratoi legjislacionin pasi republikanët bllokuan një projekt-ligj më të gjerë javën e kaluar që do të kishte kombinuar ndihmën e huaj me një marrëveshje kufitare dypartiake. Republikanët fillimisht kishin kërkuar që siguria kufitare të ishte pjesë e projektligjit, por vazhduan të refuzonin marrëveshjen dypartiake të kufirit mes sulmeve të forta ndaj masës nga Trump dhe republikanët kryesorë të Dhomës së Përfaqësuesve.
Top Channel