Komentet e Donald Trumpit, kandidati kryesor për të siguruar nominimin e Partisë Republikane në zgjedhjet presidenciale të këtij viti se nëse fiton, do të lejonte Rusinë t’u bënte “çfarë të donte shteteve të NATO-s që nuk kanë paguar 2 për qind të buxhetit të tyre për mbrojtjen”, ngjallën shqetësim mes vendeve anëtare të aleancës, që SHBA-në e sheh si boshtin e mbështetjes së saj.
Gjatë një tubimi në Conway të Karolinës së Jugut, Trump kujtoi se si gjatë kohës kur ishte president i kishte thënë një anëtari të NATO-s, të cilin nuk e identifikoi, se do të tërhiqte ndihmën e Shteteve të Bashkuara për ata që nuk përmbushin detyrimet financiare ndaj organizatës ushtarake.
“Nuk keni paguar? Jeni shkelës i rregullave?” Jo, unë nuk do t’iu mbroj. Në fakt, do t’i nxisja të bëjnë çfarë t’u ketë qejfi. Duhet paguar. Duhet të paguani faturat tuaja”, tha ai. Por s ai përmbushin vërtet anëtarët e aleancës detyrimet ushtarake?
Në 2023-shin, sipas REL, vetëm 11 nga 31 vendet anëtare të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) zbatuan udhëzuesin e aleancës ushtarake për shpenzime që mbërrijnë nivelin dy për qind të prodhimit të brendshëm bruto për mbrojtje.
E para në listën e te “dalluarve” është Polonia me 3.9%, që i druhet shumë një agresioni rus dhe po investon masivisht tek mbrojtja. Pas saj vjen vetë SHBA-ja me 3,49%, Greqia me 3.01, vendet balltike, Finlanda e anëtarësuar prillin e vitit që shkoi, Rumania, Hungaria, Anglia e Sllovakia.
Përpos tyre, anëtaret e tjerë përfshirë Shqipërinë me 1.76%, nuk e arrijnë objektivin e pretenduar nga Trump. Vendi ynë megjithatë, rezulton më korrekt se Holanda, Norvegjia dhe vetë Gjermania që paguan 1.57% të PBB-së, apo edhe se Italia e Turqia, ndërsa i fundit në renditje është shteti i pasur i Luksemburgut me vetëm 0.72%.
Komentet e Trumpit kanë rizgjuar shqetësimet mbi angazhimin e SHBA-së nëse ai fiton zgjedhjet dhe të hënën kancelari gjerman Olaf Scholz deklaroi se industritë e mbrojtjes mund të llogarisin rritjen e shpenzimeve ushtarake nga Qeveria e tij dhe se ajo do ta përmbushë përkushtimin e vet për të shpenzuar 2 për qind nga bruto prodhimi i brendshëm (GDP) për mbrojtjen e NATO-s.
Top Channel