“Aktorë kundër vlerave euro-atlantike duan të hapin vatra konflikti në rajon”, Begaj në stërvitjen e Forcave të Armatosura: Fondet publike te shpenzohen me eficencë

13/02/2024 20:22

Presidenti Bajram Begaj mori pjesë sot në stërvitjen e Grup-Batalionit të Këmbësorisë së Lehtë.

Sipas Begajt, stërvitja e grup-batalionit tregon se Shqipëria është e gatshme dhe e aftë për t’u mbrojtur dhe për të kontribuar aktivisht në mbrojtjen kolektive, sidomos në krahun juglindor të NATO-s.

Kjo stërvitje kryhet në të njëjtën kohë me zhvillimin e stërvitjes më të madhe ushtarake të NATO-s prej dekadash, “Steadfast Defender 24”.

Duke përmendur agresionin rus ndaj Ukrainës, në një deklaratë për shtyp, presidenti thekson se Forcat e Armatosura duhet të jenë në lartësinë e sfidave të kohës. Sipas tij, edhe Ballkani Perëndimor, ka vuajtur nga historia e konflikteve dhe përplasjeve ka një situatë sigurie të brishtë.

“Aktorë me ambicie gjeo-politike kundër vlerave Euro-Atlantike mund të shfrytëzojnë dobësitë dhe aleancat ideologjike apo etnike në rajon për të hapur vatra të reja konflikti. Prej më shumë se një viti, siguria në veri të Republikës së Kosovës është cenuar disa herë.

Goditja ndaj trupave të KFOR-it dhe akti terrorist në Banjskë pak muaj më parë ishin provokim dhe rrezik serioz kundër paqes dhe stabilitetit në rajon. Konsolidimi i institucioneve të Republikës së Kosovës dhe roli i NATO-s, nëpërmjet misionit KFOR, janë thelbësor për garantimin e sigurisë. Shqipëria qëndron gjithnjë krah Kosovës në rrugëtimin e saj si shteti më i ri i Evropës. Ne e bëjmë këtë, jo thjesht se jemi dy shtete të një kombi, vëllezër të një gjaku, por sepse mbështetja për Kosovën është mbështetje për sigurinë, paqen dhe të ardhmen në rajon.

Vazhdimi i dialogut Kosovë-Serbi dhe zbatimi i marrëveshjeve të arritura në Bruksel dhe anekset e saj në Ohër janë rruga e vetme drejt normalizimit të marrëdhënieve midis dy vendeve dhe njohjes reciproke. Në këtë kontekst, stërvitja juaj merr një tjetër kuptim dhe rëndësi. Ju, si pjesëmarrës në këtë stërvitje, dhe e gjithë trupa e Forcave të Armatosura, jeni vija e parë e mbrojtjes dhe garantimit të sigurisë dhe paqes. Roli juaj për Shqipërinë dhe shqiptarët është jo vetëm jetik, por edhe strategjik. Shqipëria ka qenë dhe mbetet Euro-Atlantike në frymë dhe në veprim.

Si popull historikisht paqedashës, orientimi ynë është paqja dhe siguria, ndaj sot është me rëndësi jo vetëm solidariteti me vlerat e vendeve të tjera anëtare, por edhe forcimi i mëtejshëm i lidhjeve transatlantike.
NATO, që këtë vit feston 75-vjetorin, është mishërim i mbrojtjes kolektive të një komuniteti vlerash, ku Shqipëria ka nderin të jetë pjesë. Forcat tona të Armatosura janë zhvilluar shumë që nga koha e anëtarësimit në Aleancë. Vijimi i modernizimit të tyre sot është çështje e sigurisë kombëtare.
Kjo i jep vlerë edhe faktit që buxheti për mbrojtjen është në masën 2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB-së). Fondet duhen shpenzuar me eficiencë për të siguruar rritje cilësore të kapaciteteve të Forcave të Armatosura. Vlerësoj çdo iniciativë në drejtim të mbështetjes së sigurimit të mirëqenies së personelit të Forcave të Armatosura, sepse për mbrojtjen e vendit nuk shpenzohet, por investohet për sigurimin e të tashmes dhe të së ardhmes. Krahas aspektit financiar, dëshiroj të prek edhe aspektin e imazhit dhe mesazhit që Forcat e Armatosura përcjellin në publik. Ky imazh dhe mesazh ka nevojë të përditësohet. Forcat tona të Armatosura janë zhvilluar shumë herë krahasuar me 15 vite më parë. Ky imazh dhe mesazh duhet të reflektojë ndryshimet që kanë ndodhur dhe të përcjellë modernizimin, rritjen e kapaciteteve mbrojtëse dhe misionin mbrojtës dhe paqeruajtës.

Mbi të gjitha duhet të transmetojë misionin thellësisht patriotik që ju përmbushni. Ky komunikim duhet të ndodhë sidomos me brezin e ri. Të jesh pjesë e Forcave të Armatosura sot nuk është thjesht një profesion, është çështje krenarie kombëtare dhe patriotizmi. Këtë vit Shqipëria feston 15-vjetorin e anëtarësimit në NATO, një histori suksesi që vjen falë kontributit, përkushtimit dhe profesionalizmit tuaj kudo ku keni shërbyer dhe na bëni. Të ndihemi krenarë.

Në mbyllje, dëshiroj të shpreh respektin për punën dhe sakrificat tuaja, për përgjegjshmërinë e lartë që tregoni çdo ditë dhe për faktin se, pavarësisht vështirësive, ju vijoni ta kryeni me nder detyrën në shërbim të atdheut”.

FOTO GALERI
7/7

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA