Shtrohet në spital Sekretari Amerikan i Mbrojtjes: E kishte mbajtur sëmundjen të fshehtë!

12/02/2024 12:24

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, është shtruar në spital për një problem urgjent, teksa përballet me kancerin e prostatës.

Shefi i Pentagonit e kishte mbajtur të fshehtë sëmundjen, e nuk kishte lajmëruar menjëherë për të as vetë presidentin Joe Biden, çka ngjalli kritika duke qenë se SHBA-ja po përballet aktualisht me kriza si në Lindjen e Mesme, ashtu edhe në Ukrainë.

Për shtrimin e tij në spital tani, janë njoftuar numri dy i Mbrojtjes, shefi i shtabit të ushtrisë, si dhe Shtëpia e Bardhë e Kongresi”, tha në një deklaratë me shkrim zëdhënësi i Pentagonit, gjeneralmajori Pat Ryder. Ryder sqaroi pak më vonë se Austin ia transferoi “funksionet dhe detyrat” zëvendës sekretares së Mbrojtjes, Kathleen Hicks.

Zyrtarët në Qendrën Mjekësore Ushtarake, Walter Reed pohuan se nuk është e qartë për momentin sa kohë do të duhet të kalojë ai në spital. Mësohet se Austin ishte diagnostikuar me kancer në prostatë në fundin e vitit të kaluar. Në fillim të shkurtit, sekretari 70-vjeçar, i tha agjencisë së lajmeve Associated Press se kur mori vesh për diagnozën, “ishte tronditur” dhe ideja e parë që i kishte kaluar në mendje ishte “ta mbante të fshehtë”.

“Dua të jem i qartë, ne nuk e trajtuam këtë si duhet. Unë nuk e trajtova si duhet. Duhet t’i kisha thënë presidentit për diagnozën time. Duhet t’i kisha thënë gjithashtu ekipit tim dhe publikut amerikan, dhe e marr përsipër përgjegjësinë e plotë”, tha Austin më 1 shkurt.

“U kërkoj ndjesë shokëve të mi të skuadrës dhe popullit amerikan”, shtoi ai. Kreu i Pentagonit ishte zhdukur nga syri i publikut gjatë trajtimit për kancerin në prostatë në dhjetor dhe më pas në janar, pasi kishte pasur ndërlikime gjatë një procedure. Zyrtari më i lartë i mbrojtjes në SHBA konsiderohet figurë kyçe në përpjekjet e administratës Biden për të vazhduar mbështetjen për Ukrainën në luftën e saj kundër pushtimit rus, përderisa ligjvënësit republikanë në Kongres po refuzojnë të miratojnë ndihmën e re ushtarake për Kievin.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA