Japonezi Takefusa Kubo nënshkroi një kontratë të re me Real Sociedadin, të hënën, me kohëzgjatje deri në vitin 2029, përpara ndeshjes së Champions League këtë javë me Paris Saint-Germain.
Anësori 22-vjeçar është pjesë kyçe e sulmit të skuadrës baske me gjashtë gola në ligë këtë sezon dhe do të ketë një rol qendror për të luajtur kundër PSG-së në mungesë të mundshme të golashënuesit më të mire, Mikel Oyarzabal.
Real Sociedadi udhëton për në “Parc des Princes” për t’u përballur me kampionët francezë të mërkurën, në ndeshjen e parë të fazës së 1/8-ave.
Kubo iu bashkua fillimisht akademisë së Barcelonës, por nënshkroi për Realin e Madridit në vitin 2019, pa bërë asnjë paraqitje në ekipin e parë. Ai u transferua te Real Sociedadi sezonin e kaluar, duke u bërë lojtari i parë japonez i klubit dhe ndihmoi skuadrën baske të kualifikohej në Champions League.
Kubo, i cili luajti për Japoninë në Kupën e Botës 2022 dhe Kupën e Azisë të këtij viti, ka shënuar 15 herë në 71 paraqitje për Real Sociedadin./Supersport
Top Channel