Dy turiste belge janë shpëtuar gjatë një operacioni nga policia, pasi kishin humbur rrugën ndërsa po eksploronin malin në fshatin Kllojke.
Pas disa orësh kërkime intensive për shkak të terrenit të vështirë e të thepisur dhe të largësisë së vendit nga zona që mund të përshkohet me automjete, është bërë lokalizimi i turisteve të huaja, të cilat janë në gjendje të mirë shëndetësore.
Operacioni i kërkim-shpëtimit, gjatë orëve të pasdites, u krye nga Komisariati i Policisë Nr. 1 në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, Forcën Kombëtare të Sigurisë Publike, dhe ndërlidhësit me komunitetin.
“Pas disa orësh operacion kërkim-shpëtimi, Komisariati i Policisë Nr. 1, i vjen në ndihmë 2 turisteve nga Belgjika, të cilat kishin humbur rrugën gjatë eksplorimit në mal, për shkak të terrenit të thepisur. Sot rreth orës 17:00, është marrë njoftim se 2 turiste nga Belgjika, kishin humbur rrugën gjatë eksplorimit në fshatin Kllojke, dhe si pasojë kishin mbetur të izoluara në terrenin e thepisur të malit.
Menjëherë pas njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, Forcën Kombëtare të Sigurisë Publike, dhe ndërlidhësit me komunitetin, kanë organizuar një operacion kërkim-shpëtimi, dhe pas disa orësh kërkime intensive, për shkak të terrenit të vështirë dhe të thepisur dhe të largësisë së vendit nga zona që mund të përshkohet me automjete, është bërë lokalizimi i turisteve të huaja. Shërbimet e Policisë dhe ato mbështetëse iu kanë shkuar në ndihmë turistëve, duke iu dhënë ndihmën e parë mjekësore, si dhe duke i pajisur me ushqime dhe me veshje”, sipas njoftimit të policisë.
Top Channel