Vetëm 477 psikologë dhe 277 punonjës social janë të punësuar në mbi 1000 shkolla në rang vendi, që do të thotë se jo të gjithë institucionet arsimore plotësohen me këtë shërbim, edhe pse në ditët e sotme është shumë i nevojshëm.
Psikologët shkollorë vërejnë një ndërgjegjësim në rritje për shërbimin psikosocial, mirëpo kjo është shoqëruar edhe me probleme të shtuara të shëndetit mendor.
‘Ka rritje të numrit, por edhe të rasteve të shqetësimeve te nxënësit. Referuesi kryesor është mësuesi i cili është në kontakt të përditshëm me ta, por nga ana tjetër janë edhe prindërit, ose identifikimi bëhet edhe nga vetë ne përmes seminareve që bëjmë në klasa për tema të ndryshme. Dhuna në familje, apo edhe në lagje, cfarë shohin në rrjete sociale e bën të reflektojnë atë në sjelljen në shkollë”– tha Marjola Lala, psikologe shkolle.
Edhe pse numri i psikologëve është rritur në shkolla ndër vite, sërish nuk është i mjaftueshëm për prindërit; tashmë që për ta nuk është më tabu që fëmijët e kanë domosdoshmëri konsultën me psikologun. Kryesisht mungesën e tyre e vuajnë nxënësit në shkollat e zonave rurale, ku për shkak të numrit të vogël, psikologët mbulojnë 2 ose tri shkolla.
“Ka nevojë për më shumë psikologë, se duhet të merret me fëmijët veç e veç jo në përgjithësi. Nuk mjafton. Ka fëmijë me karaktere të ndryshme…”- u shpreh Lala.
Mbi të gjitha, vec rasteve të referuara te psikologu, është i nevojshëm hetimi i imtësishëm i shqetësimeve të nxënësve, për ti parandaluar ato; e për ta realizuar këtë ka nevojë për më shumë punonjës të shërbimit psikosocial.
“Unë s’shkoj te psikologu. I zgjidh vetë problemet se jam çun”-tha një i ri.
Top Channel