Prokurimet me “AI”/ Rezerva për ligjin e ri që kaloi në Kuvend, Brahaj: Një prej neneve lë hapësirë për abuzim

11/02/2024 19:58

Në Kuvend është votuar ligji i ri për prokurimet publike, i cili në thelb të tij ka ngritjen e një sistemi të ri të qendërzuar digjital, që do të operohet nga Inteligjenca Artificiale.

Për ngritjen e këtij sistemi përgjegjës do të jetë AKSHI. Por, organizatat e shoqërisë civile kundërshtojnë një nen, i përfshirë në ndryshimet e ligjit të ri, që sipas tyre lë hapësira për abuzim. Në nenin 48/2 të ligjit të ri  Këshilli i Ministrave i jepet e drejta që pa garë brenda tre viteve të zgjedhë një konsulent ndërkombëtar që do ta ndihmojë në ato që janë cilësuar si fusha me interes strategjik.

“Rreziku i parë qëndron që këto kontrata mund të shkojnë pa garë te klientë të qeverisë apo të institucioneve publike. Rreziku e dytë është që mund të përqendrohen interesat, zhvillimet, studimet për sektorë strategjikë të vendit, të cilët janë të shumtë  tek disa duar,  që do të bëjnë konsulencnë, do të bëjnë konsulencën, studimet, vlerësimet  do të bëjnë termat e referencës dhe kështu të gjitha punët që kanë të bëjnë me sektorin strategjik do të kanalizohen në optikën dhe interesat e një grupi, që mund të jetë edhe klientelist”, tha Aranita Brahaj, nga Open Data Albania

“Efekti i këtij neni është vetëm 3 vjet. Ata që zgjedhin nëse duhet një asistencë nd/kombëtare ose jo janë anëtarët e këshillit të ministrave pra është një organ kolegjial dhe jo vetëm një individ. Dhe merret për disa fusha që janë në fusha strategjike si përdorimi i inteligjencës artificiale, mbrojtjes kibernetike dhe robotizmit, që janë fusha shumë të reja, teknologji të avancuara në botë dhe për të cilin edhe shkëmbimi i eksperiencës është i nevojshëm. Ne në komision e kemi gjykuar diçka të drejtë”, tha deputetja Milva Ekonomi.

Gjithashtu, organizatat e shoqërisë civile shprehen se ky ligj i ri pavarësisht se parashikon investime në sisteme të reja digjitale nuk ka të caktuar një kosto

“Ka një vendim të këshillit të ministrave që e detyron vetë institucionin si iniciator i ligjit që kur dërgon dokumentet të tilla apo draftligje të tilla, do duhet që në relacionin që shoqëron ligjin të vendosen edhe kostot financiare që kanë të bëjnë me këtë ligj. Nëse ligjvënësi miraton këtë ligj në njëfarë mënyrë i ka dhënë qeverisë një çek të bardhe dhe qeveria në mënyrë edhe arbitrare mund të plotësojë qoftë koston e këtij zhvillimi apo edhe klientët të cilët do ta zbatojnë”, tha Brahaj.

 “Gjykimi për vlerën do të thotë që nuk është çek i bardhë, ka një mënyrë si kalohet në buxhet, buxheti është një ligj organik që e miraton kuvendi dhe ka edhe një tavan për investimet strategjike. Në relacionin bashkëshoqërues të ligjit gjithashtu ka disa skenarë se sa mund të kushtojë projekti. Ky projekt ka një skenar zero, skenar A dhe B, në të gjitha rastet janë dhënë të tilla vlera që kur të vijë momenti Ministria e Financave të vendosë një tavan për këtë projekt strategjik”, shtoi Ekonomi.

Në relacionin bashkëshoqërues të ligjit, qeveria bën me dije se prokurimet publike nëpërmjet inteligjencës artificiale do bëhen më efikase, ndërsa synohet që të eliminohen Komisionet e Vlerësimit, anëtarët e të cilëve kryesisht përfundojnë pas hekurave për korrupsion. Projektligji gjithashtu miratoi edhe disa ndryshime të tjera, ku ndër to është skualifikimi pa shpjegim i ofertave anomalisht të ulëta në një garë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA