Bankat, 30% më shumë fitime/ 280 mln euro gjatë vitit 2023. Ekspertët: Ndikuan tarifat e larta dhe mungesa e konkurrencës

11/02/2024 19:57

Në vitin që lamë pas bankat e nivelit të dytë kanë shënuar një fitim rekord prej 28.5 miliardë lekësh apo 280 milionë euro sipas Shoqatës së Bankave.

Ky fitim gati 30% më i lartë se viti paraardhës vjen në një kohë kur Banka e Shqipërisë rriti normat e interesit të lekut, ndërsa edhe Banka homologe evropiane mori të njëjtin veprim. Për ekspertët kjo lëvizje në tregun financiar dhe një sërë faktorësh të tjerë ndihmuan bankat të realizojnë këto fitime

“Bankat në Shqipëri, por jo vetëm, në tërësi, kanë tendencën që një pjesë të kapitalit të tyre ta dërgojnë për blerjen e bonove të thesarit apo titujve shtetërorë. Kjo rritje e normave të interesit ka çuar në rritjen e fitimeve. Përgjatë viteve të fundit kemi parë një reduktim të bankave me gati 30%, që kaluan nga 16 në 11, që tregon një reduktim të dukshëm të numrit të sporteleve, që nënkupton dhe ulje të kostove fikse. Aspekti i dytë është se sistemi bankar shqiptar ndryshe nga sistemi evropian ka kosto të larta të shërbimeve. Ne e kemi vënë re se nëse tërheqim para nga bankomati i një banke tjetër, ndryshe nga ajo ku kemi llogarinë, tarifohesh diku tek 4 euro, një shifër goxha më e lartë se standarti evropian”, tha Klodian Mucco, ekspert ekonomie.

Gjithashtu sipas ekspertëve tregu banker në Shqipëri ka një mënyrë mjaft tradicionale të bërit biznes, duke marrë pak risqe kur vjen puna te dhënia e kredive

“Nëse në vendet e tjera ti ke mundësi të negociosh, qoftë formën e interesave, fiks apo variabël apo miksim të dyja, qoftë edhe format e amortizimit, në Shqipëri këto mundësi nuk i ke”, sipas Muços.

Gjatë vitit të kaluar kredia e re që dhanë bankat u zgjerua me 10.4% pavarësisht rritjes së normave të interesit. Pavarësisht rritjes së kreditimit ndër vite, sërish Shqipëria ka një ndër normat më të larta në Evropë për paranë që qarkullon jashtë bankave.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA