Çështja e faktorit shqiptar në rajon, situata e Kosovës dhe dialogut te pambyllur me Serbinë, si dhe roli i diplomacisë për zgjidhjen e saj janë në qendër të krijimtarisë së diplomatit dhe publicistit të mirënjohur, Shaban Murati.
Mbrëmjen e së premtes ai u kthye në Durrës, qytetin e tij të lindjes për të diskutuar me bashkëqytetarë mbi veprat dhe qëndrimet e tij.
“Durrësi është qyteti im i lindjes. Këtu më ka bërë koka bam. Këtu mpleksen ndjenjat dhe është një gjë e rrallë për mua. Kam kaluar me dhjetëra promovime po kjo ka një ndjenjë të veçantë dhe i jam mirënjohës qytetit dhe shoqatës që e mori përsipër promovimin”.
20 libra dhe qindra artikuj e kanë pozicionuar diplomatin dhe publicistin Shaban Murati si një prej zërave më të fuqishëm të mendimit diplomatik shqiptar. I përqëndruar kryesisht në zgjidhjen e çështjes kombëtare dhe pozicionimin e drejtë të faktorit shqiptar në rajon, Murati shprehet se Shqipëria dhe Kosova humbën një rast historik për t’u bërë faktor dominant në Ballkanin Perëndimor.
Pothuajse e gjithë vepra e Muratit fokusohet te analiza mbi tema të nxehta të shqiptarisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, ndërhyrjet e diplomacisë së huaj dhe problematikat e tij.
“E kam quajtur saga problematike e Ballkanit. Tematika e librave të mi është një tematikë diplomatike e parrahur në literaturën e politikës shqiptare”.
Top Channel