Qindra funksionarë nga Perëndimi kërkojnë nga autoritetet të rishqyrtojnë mbështetjen e tyre për Izraelin.
Kërkesën e kanë bërë rreth 900 vetë nga SHBA, BE-ja apo Britania e Madhe. Angelique Eijpe i kaloi vitet e saj të punës duke projektuar të ardhmen e politikës së jashtme holandeze në zyrën e saj në Hagë. Gjatë karrierës së saj diplomatike 21-vjeçare, ajo ka qenë zëvendëse e ambasadorit holandez në Oman dhe është marrë me politikën e Lindjes së Mesme.
Tani Eijpe është e papunë, pasi në janar u largua nga Ministria e Punëve të Jashtme holandeze në shenjë proteste ndaj reagimit të qeverisë së saj ndaj luftës midis Izraelit dheHamasit.
“Unë ushqej familjen. Por i thashë partnerit tim – nuk mund të marr më pjesë në këtë. Integriteti im personal dhe profesional është në rrezik”, thotë ajo.
Para se të largohej nga ministria, Eijpe mori pjesë në organizimin e protestave para ndërtesës së qeverisë holandeze në Hagë, të cilat kërkonin një armëpushim në Gaza.
BE dhe SHBA e konsiderojnë Hamasin një organizatë terroriste dhe e cilësuan sulmin e Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023 si “sulmin më vdekjeprurës ndaj popullit hebre që nga Holokausti”.
Nga frika se një armëpushim i menjëhershëm do të inkurajonte Hamasin, Brukseli dhe Uashingtoni kanë hezituar të kërkojnë një armëpushim, megjithëse një numër vendesh anëtare të BE-së e kanë bërë individualisht një kërkesë të tillë. BE-ja kërkoi “korridore humanitare dhe pushime në luftime” në Gaza.
BE dhe SHBA kërkuan rritje të aksesit humanitar në Rripin e Gazës dhe paralajmëruan për situatën e rëndë atje. Uashingtoni e mbështet Izraelin financiarisht dhe ushtarakisht, e ka vazhduar eksportin e armëve dhe pajisjeve ushtarake edhe nga disa vende evropiane në Izrael. Ndër to edhe nga Holanda dhe Gjermania.
Shqetësimi në rritje
Eijpe ka shumë përgjegjësi edhe pse ka humbur punën. Ajo punon në vendosjen e lidhjeve mes diplomatëve nga të dy anët e Atlantikut, të atyre që kanë qëndrime të ngjashme. Me 2 shkurt rreth 800 nëpunës civilë nga Bashkimi Evropian, Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës publikuan një letër duke kërkuar që qeveritë e tyre të ndryshojnë kursin ndaj këtij konflikti. Ndërkohë sipas diplomates holandeze Eijpe, që nga publikimi i letrës, numri i nënshkruesve është rritur në afro 900.
“Ne kemi shprehur shqetësimin se politikat e qeverive/institucioneve tona nuk i shërbejnë interesit tonë… mendimi ynë profesional është i pezulluar nga mendimi politik dhe ideologjik”, thuhet në letër.
Një zyrtar i lartë i Bashkimit Evropian që hartoi letrën – dhe kërkoi të mos përmendet emri i tij – i tha DW se ka një “kulturë heshtjeje” në zyra dhe se njerëzit që flasin shihen si “aktivistë shumë emocionalë”.
Në letër thuhet se qeveritë e kanë mbështetur Izraelin “pa kushte reale apo përgjegjësi”. “Ekziston një rrezik i bazuar që politikat e qeverive tona të kontribuojnë në shkelje të rënda të ligjit ndërkombëtar humanitar”, thuhet në letër.
Letra është nënshkruar nga zyrtarë qeveritarë nga Gjermania, Belgjika, Finlanda, Britania e Madhe, Franca, Suedia dhe institucionet e Bashkimit Evropian. DW nuk mund të verifikojë identitetin apo numrin e nënshkruesve.
Kur keni parasysh se ka qindra mijëra nëpunës civilë në të gjitha këto vende, 900 emra është një numër jashtëzakonisht i vogël.
Por ky është dokumenti zyrtar më i gjerë i protestës deri më sot. Aipe beson se kjo është vetëm maja e ajsbergut. Sipas saj, nëpunësit civilë amerikanë janë veçanërisht të kujdesshëm për shkak të mbrojtjes së pamjaftueshme të komunikimit në vendin e punës.
Rrjeti i lajmeve EU Observer raportoi muajin e kaluar mbi një deklaratë speciale të nënshkruar nga 1500 zyrtarë të Bashkimit Evropian, ku bëhet thirrje për një embargo për dërgesat e armëve në Izrael.
Në tetor, Al Jazeera raportoi për një letër që dyshohet se ishte nënshkruar nga 800 bashkëpunëtorë të Bashkimit Evropian, ku thuhej se “BE-ja po rrezikon humbjen e kredibilitetit me reagimin e saj ndaj konfliktit”.
Izraeli hedh poshtë akuzat
Zyrtarët izraelitë kundërshtojnë pretendimet në letër se “Izraeli nuk ka vendosur asnjë kufi në veprimet e tij ushtarake në Gaza”. Ushtria izraelite thotë se po bën “çdo gjë të mundshme për të kufizuar numrin e viktimave civile në Gaza”.
“Hamasi po përfiton nga këto përpjekje duke nxitur civilët të injorojnë paralajmërimet ushtarake izraelite”, thuhet në faqen e internetit të ushtrisë. Si shembuj citohen mesazhet dhe telefonatat që Izraeli u dërgoi civilëve në këtë zonë.
Një përfaqësues i Izraelit në Bruksel reagoi ndaj letrave kështu: “Në kohë si kjo për vendin tonë, nuk është e lehtë të shihet se si disa individë zgjedhin të jenë kundër. Ata po përpiqen të përfitojnë nga situata, të prishin marrëdhëniet e mira të punës midis vendeve tona dhe të minojnë gjithçka që kemi arritur deri tani. Është për të ardhur keq, por ne nuk besojmë se kjo përfaqëson të gjitha vendet”.
Debati është diçka “normale”
“Është normale që ministria jonë të ketë një debat për konfliktin mes Izraelit dhe Hamasit. Ne jemi të mendimit se duhet të ketë hapësirë për debat dhe inkurajojmë bashkëpunëtorët që të hyjnë në dialog brenda vendit”, tha për DW, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme holandeze.
“Në të njëjtën kohë, politikën e ministrisë e përcakton ministri dhe ai është i detyruar të japë llogari para Kuvendit. Kjo merret si e mirëqenë në punën e çdo nëpunësi civil”, shton ai.
Ministria e Punëve të Jashtme gjermane njoftoi se e kishte “marrë parasysh” letrën. Komisioni Evropian thekson se po e “konsideron” njoftimin në letër. Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme Britanike i tha DW: “Britania e Madhe dëshiron që luftimet në Gaza të përfundojnë sa më shpejt që të jetë e mundur” dhe kërkon “respektimin e vazhdueshëm të ligjit ndërkombëtar humanitar si dhe mbrojtjen e civilëve”.
Nuk ka unitet në BE?
Mihail Chihaia, ekspert i politikës së Lindjes së Mesme në Qendrën për Politika Evropiane, tha se letra të tilla mund të rrisin presionin ndaj vendimmarrësve evropianë dhe amerikanë “për të insistuar në një armëpushim, por edhe për të bërë përpjekje për të gjetur një zgjidhje afatgjatë”.
Ai shton se dallimet e mendimeve nuk manifestohen vetëm pas dyerve të mbyllura, kështu që tensioni i vazhdueshëm për këto çështje e bën më pak të mundshëm veprimin e përbashkët. “Për fat të keq, BE-ja do të vazhdojë të ketë vështirësi të flasë me një zë në rast të një konflikti në Gaza”, tha Mihail Chihaia.
Javët e fundit Brukseli është përpjekur të jetë jo vetëm vëzhgues, por edhe ndërmjetës për gjetjen e një zgjidhje me dy shtete. Chihaia beson se ky plan kërkon “mbështetje të fortë nga shtetet anëtare, pëlqimin e rajonit dhe hapa praktikë drejt zbatimit”. Ndryshe plani “do të bëhet një tjetër tigër letre”. /DW
Top Channel