Në ditën ndërkombëtare të gjuhës greke, në Universitetin e Gjirokastrës është mbajtur një sesion shkencor, ku leksikologë dhe studiues të gjuhës kanë ndarë me të pranishmit zhvillimet e fundit dhe përpjekjet për modernizimin e metodave të nxënies.
Eventi përkoi me 40 vjetorin e themelimit të departamentit të gjuhës greke në këtë universitet një drejtim studimesh që i ka shërbyer ndër vite formimit të mësuesve e studiuesve të gjuhës greke për shkollat e minoritetit.
“Sot po celebrohet për të shtatin vit radhazi dita ndërkombëtare e gjuhës greke.Organizimi flet për vlerat e bashkëjetesës dhe bashkëpunimit, mirëkuptimit mes kulturave që ekziston në Jug të vendit”, thotë Panajot Barka, drejtues i departamentit të gjuhës greke.
Gjatë kumtesave janë trajtuar tema me karakter gjuhësor dhe historik si dhe është vlerësuar gjuha si një mjet që ka transmetuar vlera të njerëzimit përgjatë shekujve.
“Ndihem e nderuar që marr pjesë në këtë aktivitet dhe mbart kujtime shumë të bukura prej mësimdhënies time këtu 15 vite më parë. Në kumtesën time sot përveçse për gjuhën greke kam folur edhe për historinë e rajonit të Epirit gjatë periudhës së Pirros si dhe për mbretërinë e Aleksandrit të parë molos”, shprehet Katerina Liampi, pedagoge nga universiteti i Janinës.
Gjuhëtarja Mimoza Kore nga universiteti i Tiranës trajtoi në kumtesën e asaj aspekte të shkëmbimit historik mes gjuhës greke dhe shqipes se dhe ngjyrimin e veçantë të kësaj marrëdhënieje në Jug të vendit.
“Unë në këtë aktivitet kam ardhur me statusin e gjuhëtares për të parë marrëdhëniet e shqipes me greqishten, marrëdhënie që datojnë 3000 vjet para erës sonë, por do të ndalem kryesisht në marrëdhëniet që ka kjo e folme ka me Gjirokastrën dhe huazimet që janë bërë pjesë e leksikut të përditshëm“, shprehet Mimoza Kore.
Edhe departamenti i gjuhës dhe qytetërimit grek është përballur ndër vite me sfidën e numrit të ulët të studentëve edhe për shkak të emigracionit. Një platformë dixhitale për trajnimin e mësuesve është aktive prej disa vitesh në funksion të përmirësimit të mësimdhënies në zonat e thella që kanë mundësi të reduktuara ndaj informacionit.
Top Channel