​Qytetarët në veri ende nuk paguajnë faturat e energjisë, shumë prej tyre nuk kanë as sahat

10/02/2024 11:01

Qytetarët e veriut të Kosovës ende s’kanë pranuar faturat e para për energjinë elektrike që kanë shpenzuar gjatë muajit janar, ndonëse faturimi pas më shumë se dy dekada pritej të nisë nga muaj i kaluar i këtij viti.

Nga Zyra e Rregullatorit për Energji thonë se së shpejti pritet të shpërndahen faturat e energjisë në katër komunat veriore. Megjithatë, një javë më parë zëvendëskryeministri parë në Qeverinë e Kosovës, Besnik Bislimi ka theksuar se në fund të muajit janar janë shpërndarë mbi 20 mijë fatura tek konsumatorët e energjisë në veri.

KosovaPress ka tentuar të marrë përgjigje edhe nga kompania “Elektrosever”, e cila është licencuar për furnizimin dhe faturimin me energji elektrike të Komunave me shumicë serbe, por që nuk kanë qenë të qasshëm.

Qytetarët të cilët tregojnë se nuk i kanë pranuar ende faturat, shumë prej tyre nuk kanë as orëmatës. Teksa ata janë shprehur të gatshëm të paguajnë për rrymën që shpenzojnë.

Milloshi, një qytetar nga veriu i Mitrovicës, ka bërë të ditur për KosovaPress, se nuk ka pranuar ende faturë të rrymës, nuk ka as njehsor, por tha se do ta paguan sepse është obligim qytetar.

“Për rrymë nuk kam marrë kurrfarë faturash… Ky është një obligim civilizues çdo kund, do ta paguajmë normalisht”, tha Milloshi.

Edhe Gordana Vllajiç, një qytetare tjetër nga kjo pjesë e qytetit të Mitrovicës, tha se nuk ka marrë faturë, por do ta paguajë rrymën.

“Jo, akoma nuk kam marrë (faturë për rrymë)… Me sa di unë jo, akoma jo (nuk më kanë vënë njehsorë)… natyrisht (do ta paguaj rrymën)”, theksoi Vllajiç.

Svetomir Boshkoviç, theksoi se faturë të rrymës ende nuk ka pranuar, por njehsorin e ka në shtëpinë e tij, i cili është i vjetër më shumë se 30 vjet.

Ai shtoi se do të paguaj rrymën pasi t’i marrin faturat.

“Nuk kam pranuar (faturë të rrymës)… Kam njehsorin e rrymës, është që 30 – 40 vjet… Nëse vijnë faturat duhet të paguhen, të gjitha duhet të paguhen”, thekson Boshkoviç.

Ndërkaq, Ymer Fejzullahu, kryetar i Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE), tha se leximi i njehsorëve është në proces e sipër dhe pritet që së shpejti të shpërndahen faturat.

Sipas tij, në bazë të të dhënave preliminare, janë gjithsej rreth 22 mijë konsumatorë në pjesën veriore, të cilët gjatë këtij muaji duhet t’i shlyejnë borxhet për muajin janar.

Ai nuk ka dhënë detaje rreth mënyrës së faturimit, sidomos të atyre që janë pa njehsorë, dhe as për çmimin e kW nëse do të jetë i njëjtë sikurse në pjesët tjera të Kosovës, duke thënë se pret një raport nga Elektrosever-i, KEDS, dhe KOSTT rreth kësaj çështjeje.

“Gjatë këtij viti Elektroseveri ka filluar me nominimin e energjisë për pjesën veriore. Leximi është në proces e sipër dhe pritet që të shpërndahen edhe faturat… Sipas të dhënave preliminare janë rreth 20 mijë deri në 22 mijë konsumatorë në pjesën veriore… Një pjesë e tyre (njehsorëve) besoj se janë në rregull, por ata që nuk janë në rregull do të zëvendësohen me njehsorë të rinj… Këto detaje ende nuk i kemi (rreth mënyrës dhe çmimit të pagesës), mirëpo presim një raport nga Elektroseveri, KEDS-i dhe KOSTT-i…. Po gjatë këtij muaji ata duhet veç t’i shlyejnë detyrimet për muajin janar”, thotë Fejzullahu.

Zëvendëskryeministri parë në Qeverinë e Kosovës, Besnik Bislimi ka theksuar se në fund të muajit janar janë shpërndarë mbi 20 mijë fatura tek përdoruesit e energjisë elektrike në veri të vendit.

“Kemi disktuar si temë të tretë problemet ende të pazgjidhura nga udhërrëfyesi i zbatimit të marrëveshjes së energjisë. Në fund të muajit janar janë shpërndarë mbi 20 mijë fatura tek përdoruesit apo konsumatorët e energjisë në veri, por ende janë disa çështje që presin për t’u zgjidhur. Tema e parë që është shumë e rëndësishme për Kosovën është lëshimi në funksion i linjave të interkonjeksionit mes Kosovës dhe Serbisë… tema e dytë e cila është po aq e rëndësishme ka të bëjë me vendosjen e matësve digjital te konsumatorët në veri, ka pasur një gatishmëri të BE-së që të financojë projektin e vendosjes së matësve digjital, por ka pasur pastaj paqartësi se në çmasë një projekt i tillë mund të ndikohet nga masat e vendosura ndaj Kosovës. Dhe problemi i tretë janë borxhet e akumuluara të KOSTT-it si rezultat i devijimeve për konsumin e energjisë pas tetorit të vitit 2022, për të cilin ne presim që Bashkimi Evropian duhet të gjejë një zgjidhje për financimin e tyre”, tha Bislimi.

Që nga viti 1999, banorët e komunave me shumicë serbe në veri të vendit nuk kanë paguar për energjinë elektrike të cilën e kanë shpenzuar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA