Një raport i ri i shkencëtarëve ka zbuluar se rrymat oqeanike mund të jenë tashmë drejt rrugës së kolapsit.
Në të dhënat e publikuara tregohet situata alarmante e rritjes së nivelit të detit dhe motin global, e cila ka sjellë rënien e temperaturave në mënyrë dramatike në disa rajone e rritje në të tjera.
Duke përdorur sisteme kompjuterike jashtëzakonisht komplekse dhe të shtrenjta, shkencëtarët gjetën një mënyrë të re për të zbuluar një sinjal paralajmërues të hershëm për kolapsin e këtyre rrymave.
Në studimin e botuar këtë të premte në revistën Science Advances, thuhet se planeti po ngrohet.
Qarkullimi Meridional i Përmbysjes së Atlantikut (AMOC), pjesë e të cilit është edhe Rryma e Gjirit, funksionon si një rrip transportues gjigant global, duke marrë ujë të ngrohtë nga tropikët drejt Atlantikut të Veriut të largët, ku uji ftohet, bëhet më i kripur dhe zhytet thellë në oqean, përpara se të përhapet në jug.
Rrymat bartin nxehtësi dhe lëndë ushqyese në zona të ndryshme të globit, njëkohësisht luajnë një rol jetësor në mbajtjen e klimës së butë në pjesët e mëdha të Hemisferës Veriore.
Për dekada, shkencëtarët kanë dhënë alarmin për stabilitetin e qarkullimit pasi ndryshimet klimatike ngrohin oqeanin dhe shkrin akullin, duke prishur ekuilibrin e nxehtësisë dhe kripës që përcakton fuqinë e rrymave.
Ndërsa shumë shkencëtarë besojnë se AMOC do të ngadalësohet nën ndryshimet klimatike dhe madje mund të ndalet, por mbetet ende një pasiguri e madhe se kur dhe sa shpejt mund të ndodhë kjo. CNN shkruan se AMOC është monitoruar vazhdimisht që nga viti 2004.
“Ky studim i ri ofron një përparim të rëndësishëm. Ajo që studimi nuk bën, është të japë korniza kohore për një kolaps të mundshëm. Nevojiten më shumë kërkime. Por ne të paktën mund të themi se po shkojmë në drejtim të pikës së kthesës në ndryshimin e klimës”, tha René van Westen, një studiues detar dhe atmosferik në Universitetin e Utrecht në Holandë dhe bashkëautor i studimit.
Shkencëtarët përdorën një superkompjuter për të drejtuar modele komplekse klimatike për një periudhë tre mujore, duke simuluar rritjen graduale të ujit të ëmbël në AMOC, që përfaqëson shkrirjen e akullit, si dhe reshjet e rrjedhjen e lumenjve, të cilat mund të hollojnë kripësinë e oqeanit e të dobësojnë rrymat.
Ndikimet e kolapsit të AMOC mund të jenë katastrofike. Disa pjesë të Evropës mund të shohin rënie të temperaturave deri në 30 gradë Celsius gjatë një shekulli, zbulon studimi, duke çuar në një klimë krejtësisht të ndryshme gjatë vetëm një ose dy dekadash.
“Asnjë masë përshtatëse realiste nuk mund të përballet me ndryshime kaq të shpejta të temperaturës”, shkruajnë autorët e studimit.
Vendet në hemisferën jugore, nga ana tjetër, mund të përballen me rritje të ngrohjes, ndërsa stinët e lagështa dhe të thata të Amazonës mund të ndryshojnë, duke shkaktuar përçarje serioze në ekosistemin. Westen u shpreh se rënia e AMOC mund të shkaktojë gjithashtu rritje të nivelit të detit me rreth 1 metër.
Top Channel