Nga Agron Gjekmarkaj
Ah e djeshmja filloi me një rënkim. Oh oh, eh, oh dëgjoheshin piskamat e habisë. Sapo në shteg të oborrit Dash Sula u shfaq monotonia mori arratinë. Mbi një seter mëkatet e botës kishte renditur. Grykësinë, korrupsionin, koprracinë me pikëllim Shën Françesku goditi. Paranë haram mbi kokat tona holli, ndërgjegjet dallgë na i bëri. Gjithë ajo larushi në përkufizimin e vesit e shndërroi për të disatën herë në dashnor të epërm ndaj gjetjes dhe rënkues kur e virtytshmja trembet nga paudhësia.
Me befasinë si Skënderbeu turqenisë u hoqi pinin socialisteve këtyre hajdutëve të të drejtave tona.
Kur njeriu nuk mund të bëjë gjeste sublime gjëra të vogla gjithsesi duhet të kryej.
Faqe njerëzisë po jap dëshminë. Kur “eurot” si shi binin mbi ne syri ndizej e behej çakërr, imagjinata oqean siç do të thoshte Ditmari për të Babos zemër.
Ato binin të shumtë si flokë dëbore dhe ministrat ëndërronin , erdhi e bekuara ditë që mos ti marrim më tinëz po na i hedh Perëndia nga havaja.
Teksa Niko me Tezen kishin rënë në një përkundje të ëmbël, me sytë gjysmë mbyllur e gojën hapur, Ulsiu i shkundi, zgjohuni more ju plaçin sytë, sabër, se janë fallco dhe jemi live. Muçua me të vetët kishte ardhë që pa gdhirë bashkë me motrani e shoqni të mazhorancës.
Tao e kqyrte nga lart me mirënjohje. Ai nga poshtë me përultësi.
Në të dalë përkëdheljeve e darovitjeve të Kryezëvendës Liderit Muli ju përgjigj “të të vijë rëndë, shiko shtëpinë tënde” dhe iku i ngrati duke rëndur drejt paturpësisë.
Ed Paloka i dha zë bilbilit e fjalës duke përkufizuar profumin e ri qe do përdorë mazhoranca në ditën e kiametit. Edhe pse hymë në betejë me shumë pak trupa, unë nuk u ngrita në lartësinë e detyrës, mbeta në prapavijë me kryqin e kuq, me të sëmurët, pleqtë dhe fëmijët. Gjykimi i Luan Baçit do rrahë mbi mua si tufan.
Elisa lëshonte namat e saj nga atje lart. Përgojuat petullat e mia , ja ky qe i hëngri rri si qingj, ju të tjerët mos u ngopshi, jua bëri Zoti qejfin miell e vezë boll. Syri me filxhan i behej kesaj here nga marazi.
Ç’të shihnim Genc Gjonçaj ishte bërë si burrë dëborë, i bardhë deri në verbim. Deputetët e Babos ia kishin zili, secili mendonte sikur të ishim ne në vendin e tij, heroi i ditës.
Nga larg dëgjohej zëri i Kryezëvendes Liderit Muli i cili hepueshem i thoshte sot po të le me kaq të lyeva si qofte me miell, le të të hajë qeveria për drekë.
Kosta i Gramozit dhe Linditës u prek. Po unë ç’kam më pak apo ne akademiket nuk jemi kandidatë për dëshmorë, unë disa herë e kam rrezikuar jetën për Babon siç me ka hije , nejse nuk dua të vdes i mbuluar me miell psherëtiu por me jatagan. Ne kuzhinë kërkonte një pirun për mësymje po aty i kishin hequr armët e ftohta.
Këtë meditim e ndërpreu veza mbi makinën e Taos që u përhap si reja bërthamore. Por ai njeri i mirë nuk u ndie.
Kur një rregullore e djegur fluturoi mbi qiellin e qeverisë Bora pyeti Anilën pse bëjnë kështu këta kundër Babos sonë, iii sa të keqinj….! Anila i tha: Se ata nuk kanë pafajësi në sy si ti xhan , fali Zot se nuk dinë ça bëjnë. Mete ishte bërë sa një grusht dhe mërmëriste, ishallah nuk më kërkojnë ndonjë lek.
Gonxhe dukej më i gjerë se i gjatë. Kur një rregullore e djegur fluturoi mbi qiellin e qeverisë, Bela u ngrit vrikthi. Ajo tha ju mund të digjni gjithçka kot e kini se atë që kërkoni e kemi në mendje e zemër. Damua tundi kokën në shenjë miratimi duke mërmëritur. Ata mund ti shkatërrojnë karrigen por jo monumentet qe ka në shpirtrat tanë. Pranvera Resuli i tha ti je si biçim filozofi ! Damua pranoi me modesti. Etilda puliti qerpiket e gjatë dhe pyeti apo jetojmë në kohëra epike? Po tha Toni , nuk është keq të mendojmë arken e Noas. Unë me delet nuk rri tha Çuçi se me japin alergji. Majko pranoi se rri kudo si partizanet. Mimi di Puccini ju kujtoji se ishin misionarë dhe në arkë hynë të përzgjedhurit. Po unë po unë vrapoi të interesohej Klodi. Ti tek gijotina i tha Shalsi aty ku përgjeshmëria është me e madhe. Kur të lodhesh ke Ermo qerrateshen për ndërrim.
Mes kesi rropullishë ktheva kokën. Jorushi i Tabakeve si peshqesh na kishte lënë mungesën e vet të papërballueshme teksa nga Amerika na mësonte qysh bëhet zonjë Shqipëria me zërin e butë sherbet mbi bakllavanë e tharë. Dikush pyeti ku është Salianji? Lëreni dreqin çe doni ai është prurësi i faktkeqësive sapo më mori në tel e më tha që Babo do të ndryshojë përsëri qeverinë i thashë një ministri. Ujë ujë pak ujë lypi.
Babos i lamë afat deri me 20 Shkurt të mbathë opingat e të bëhet sikter. Unë kembengula per hir të kronikes ti lëme edhe dy tri ditë po Lideri në perspektive Gazi me vikati , tu thaftë goja që vë interesin e kronikes mbi atë të demokracisë! Në fund bëme bilancin me harxhet e Isuf Çeles bujar i lindur , duke debatuar rëndë me
Mondin ne duhet ta festonim fitoren e radhës me një kuvazir apo raki boboshtice siç e kërkon tradita. Diatrribes i dha fund toleranca e Kryezëvendes Liderit. Ai tha secili çfarë ti lypë xhani dhe brof ndeshëm gotat.
Top Channel