BQK nuk ndryshon vendim, por hap linjë telefonike për serbët: Të informohen për dinarin

09/02/2024 15:30

Banka Qendrore e Kosovës nuk jep shenja se mund të lëvize nga qëndrimi i saj për dinarin, por njoftoi se ka hapur një linjë telefonike pa pagesë për t’i krijuar serbëve të Kosovës mundësinë të informohen më në detaj lidhur me rregulloren e saj për pagesat me para kesh, që ndalon përdorimin e dinarit serb.

Linja në fjalë, deklaroi BQK, “i dedikohet krejtësisht qytetarëve nga komuniteti serb që jetojnë në Republikën e Kosovës dhe kanë nevojë të informohen drejt dhe konkretisht”.

Vendimi i saj erdhi pas përplasjeve të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiç në seancën e jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së në Nju Jork, e thirrur nga Serbia kryesisht për çështjen e dinarit. Rregullorja që e përcakton euron si valutën e vetme që mund të përdoret për pagesa kesh në gjithë vendin, hyri në fuqi më 1 shkurt, me gjithë trysninë e madhe ndërkombëtare për shtyrjen e zbatimit të saj.

BQK-ja e përsëriti edhe një herë se ajo nuk e ndalon apo kufizon pranimin e parave në llogaritë bankare në euro në bankat e licencuara dhe se nuk kufizon aktivitetin këmbimor të çdo lloj valute që kryhen nga institucionet financiare bankare ose jo-bankare të licencuara nga ajo.

“Nuk ndalon transfertat nga asnjë shtet. Nuk ndalon zotërimin dhe kursimin ne asnjë valute që nuk është euro përfshirë dinarin”, nënvizohet në njoftim.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA