SPAK çon në gjykatë dosjen/ Avokati Bengasi porositi rrahjen e ish-bashkëshortes. Dumani e ndoqi, Eljo Bitri e dhunoi brenda në makinë

09/02/2024 09:51

SPAK ka përfunduar hetimet në ngarkim të Alban Bengasit, i akuzuar për dhunën ndaj ish-bashkëshortes së tij Blerta Bengasi, kryer në formën e një grupi të strukturuar kriminal dhe ka dërguar dosjen në Gjykatën e Posaçme.

Ngjarja ka ndodhur në datë 30 janar të vitit 2020, rreth orës 11:15 pasdite në rrugën “Milhal Grameno”. Blerta Bengasi ka hyrë në automjetin e saj dhe në këtë moment është goditur disa herë me grushta në fytyrë dhe mbrapa koke.

Sipas SPAK, ish-bashkëshorti i saj, Alban Bengasi për shkak të konflikteve familjare që kishte më të, ka qenë vetë porositësi për ta dhunuar. Ndërsa Festim Qoli është personi që ia ka ofruar si punë Nuredin Dumanit, i cili gjithashtu i ka mundësuar një takim me Alban Bengasin.

Dumani ka kryer ndjekjen e Blerta Bengasi, për të mësuar intinerarin e lëvizjeve dhe përditshmërinë e saj, ndërsa i bashkëhetuari Eljo Bitri është ekzekutori, pra personi i cili ka goditur Bengasin.

Një person tjetër rezulton i përfshirë në hetime, është shoku i Eljo Bitrit, i cili nuk është i identifikuar por akuzohet si ndihmës i tij, pasi ka qenë drejtues i mjetit me të cilin janë larguar nga vendi i ngjarjes.

Njoftimi i SPAK

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, përfundoi hetimet për procedimin penal nr.75/5, të vitit 2024, dhe përcolli në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, kërkesën me objekt “Dërgimin për gjykim të procedimit penal nr.75/5”, në ngarkim të të pandehurit Alban Bengasi, akuzuar për veprat penale “Dhuna në familje”, në dëm të shtetases Blerta Bengasi (Ruçi), kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”, parashikuar nga nenet 130/a/1, 28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal.

Rasti i referohet ngjarjes së ndodhur më datë 30.01.2020, ku rreth orës 11:15 të paradites, në Rrugën “Mihal Grameno”, Tiranë, në momentin kur shtetësja Blerta Bengasi (Ruçi), ka hyrë në automjetin e saj me targë AA 282 DI, është dhunuar nga një  person, i cili e ka goditur shumë herë me grushta në pjesën e fytyrës dhe mbrapa koke, duke i shkaktuar dëmtime në pjesën e hundës,  dhe të gojës tek dhëmbët. Më pas, e dëmtuara Blerta Ruçi, ka njoftuar policinë lidhur me ngjarjen e ndodhur.

Hetimet e kryera nga  Prokuroria e Posaçme, bënë të mundur identifikimin e personave që kanë bashkëpunuar për dhunën e ushtruar ndaj shtetases Blerta Ruçi, si dhe rolin e secilit person të përfshirë.

Konkretisht, i pandehuri Alban Bengasi (ish bashkëshorti  i të dëmtuarës Blerta Ruçi), për shkak të konflikteve familjare, ka qënë porositësi i aktit të dhunës, i bashkëhetuari Festim Qoli, është personi që ja ka ofruar si “punë”, të pandehurit Nuredin Dumani, dhe më pas ka mundësuar takimin ndërmjet të pandehurve Alban Bengasi dhe Nuredin Dumani. I pandehuri Nuredin Dumani, është  personi që ka kryer ndjekjen e shtetases Blerta Bengasi, për të mësuar intinerarin e lëvizjeve dhe përditshmërinë e saj, dhe i bashkëhetuari Eljo Bitri është  ekzekutori, personi i cili ka goditur shtetasen Blerta Bengasi, ditën e ngjarjes.

Nga hetimet është evidentuar përfshirja në krim edhe e një personi tjetër, shok i të bashkëhetuarit Elio Bitri, i paidentifikuar deri më tani, i cili shfaqet në rolin e ndihmësit pasi  ka qenë drejtuesi i mjetit me të cilin është larguar i bashkëhetuari Eljo Bitri nga vendi i ngjarjes.

Këta shtetas kanë bashkëvepruar në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, duke e shtrirë në kohë dhe vende aktivitetin e ndjekjes së të dëmtuarës nga vepra penale, si dhe duke patur një ndarje të qartë rolesh në kryerjen e veprës penale.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA