Planeti “do digjet”! Shënohet shkelja e parë njëvjeçare e kufirit të 1,5 gradëve të ngrohjes globale

08/02/2024 07:23

Ngrohja globale kapërceu për herë të parë përgjatë një viti të tërë kufirin e 1.5 gradëve Celsius: njoftimin i bërë nga shërbimi klimatik i BE-së u pasua nga reagime të menjëhershme të ekspertëve.

Kjo tejkalon çdo gjë të pranueshme, u shpreh për BBC-në profesori Bob Watson, ish-kryetar i organit të klimës së OKB-së. “Shikoni se çfarë ka ndodhur këtë vit me vetëm 1.5 gradë Celsius mbi mesataren- kemi parë përmbytje, kemi parë thatësira, kemi parë valë të nxehti dhe zjarre në të gjithë botën”, u shpreh ai. Në vitin 2015, liderët botërorë u zotuan se do të përpiqen ta kufizojnë rritjen afatgjatë të temperaturës së planetit në 1.5C, çka shihet si thelbësore për të ndihmuar në shmangien e ndikimeve akoma edhe më të dëmshme.

Edhe pse kjo shkelje e parë njëvjeçare e një limiti të tillë nuk e rrëzon marrëveshjen historike të Parisit, ajo e afron botën më pranë një skenari frikësues. Në këtë pikë, thotë Watson, nevojiten veprime urgjente për uljen e emetimeve të karbonit, në mënyrë që të ngadalësohet ngrohja. Sipas Shërbimit të BE-së për ndryshimet klimatike, Copernicus, ngrohja në periudhën nga shkurti 2023 deri në janar 2024, mbërriti në 1.52 gradë Celsius.

Paralajmërimi i fundit për klimën në Angli vjen mes lajmeve se Partia Laburiste është duke hequr dorë nga politikat e saj për të shpenzuar 28 miliardë paund në vit për një plan investimesh të gjelbra. Konservatorët gjithashtu u tërhoqën nga disa objektiva kyçe në shtator, çka do të thotë se të dy partitë kryesore të Mbretërisë së Bashkuar kanë zvogëluar llojin e premtimeve për të cilat shumë shkencëtarë të klimës thonë se janë të nevojshme në rang global, nëse duan të shmangen pasojat më të këqija të ngrohjes, në një kohë kur edhe sipërfaqja e deteve nëpër botë është në nivelin më të lartë të regjistruar ndonjëherë.

Top Channel