Pengesa për votën e emigrantëve/ Rama nga Luksemburgu: Nuk kemi një regjistër të shqiptarëve nëpër botë

08/02/2024 15:35

Qeveria dhe Parlamenti ndodhen përpara detyrimit në përmbushjen e një vendimi të Gjykatës Kushtetuese për tu dhënë mundësi emigrantëve të votojnë.

Nga Luksemburgu kryeministri Edi Rama duke bashkëbiseduar me komunitetin shqiptarë atje, shpjegoi pamundësinë e zbatimit të këtij vendi të kushtetueses.

Vota e emigrantëve nuk është çështje dëshirash, por e bazës së të dhënave. Ne nuk kemi sot një regjistër të shqiptarëve nëpër botë. Kemi bërë disa tentativa, por… Kjo çështja e data-bazës na pengon shumë për të bërë të mundur votën e emigrantëve”-u shpreh Rama.

Kryeministri Rama  në Luksemburg mori pjesë në forumin “Rruga drejt zgjerimit”.

“Për momentin jam në një periudhë post traumatike sepse më është dashur të kaloj një traumë të gjatë me BE, ndërkohë që ne këmbëngulnim për çeljen e bisedimeve të anëtarësimit dhe ata këmbëngulnin të na thonin se na donin, sigurisht na donin, por nuk ishin gati të flisnin.  Kështu që imagjinoje, të duash të martohesh dhe pala tjetër të thotë: unë dua shumë të martohem me ty, por nuk dua të të flas.  Është një përvojë shumë traumatike, por ka përfunduar tashmë, kemi çelur bisedimet e anëtarësimit dhe në këtë epokë post traumatike jam shumë më tepër i prirur ta lëvdoj BE sesa ta fajësoj atë.

U ndal edhe në  rolin e institucioneve financiare në integrimin europian.

“Plani i ri i rritjes është një hapje e jashtëzakonshme për një mënyrë ndryshe për ta parë të ardhmen, qoftë nga ana e BE, si dhe nga ana jonë.  Besoj se në kuadrin e BERZH dhe të Bankës Europiane të Investimeve ka diçka mjaft të rëndësishme që na duhet ta përdorim që nuk janë paratë, por është dija. Unë shpresoj fort që do të marrim më shumë sa i takon dijeve për rritjen graduale të investimeve për inovacionin .

Për temën e tij të preferuar shpejtësinë me të cilën ecën BE drejt zgjerimit kryeministri Rama deklaroi.

“Ti hyn në një maratonë ku të thuhet që është 52 kilometra, por në fund mund të mos jetë 52, mund të jetë 100, 150, 1000 sepse ajo linja e finish-it kur ti vrapon drejt saj, gjithmonë e më tepër të largohet sepse ju duhet të vendosin dhe nuk është vetëm një mendje që duhet të vendosë, janë 27. Megjithatë nuk ka rëndësi, ne do të vrapojmë, nuk do te humbasim durimin edhe pse do të ketë vite ku nuk do të jemi ne ata që do të jemi në linjë të parë, do te jetë Bosnja ndoshta, ku i dihet, Moldavia, ku i dihet, por nuk ka rëndësi.”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA