Sergio Aguero nuk pati lamtumirën e ëndërruar nga futbolli duke qenë se argjentinasi u tërhoq për shkak të problemeve me zemrën që iu shfaqën pas kalimit te Barcelona në vitin 2021.
Ish-sulmuesi tregon se ishte tejet i entuziazmuar për të luajtur në një skuadër me Messin, por kjo nuk ndodhi për shkak se në atë vit “pleshti” u largua nga katalanasit. Aguero zbulon se drejtuesit ia ofruan atij fanellën me numër 10 të Messit, por ai e refuzoi.
“Në janar të vitit 2021 e kuptova që Manchester City nuk do të ma rinovonte kontratën. Unë doja të qëndroja edhe një vit më shumë, isha i gatshëm të pranoja edhe stolin në skuadrën e Guardiolës. E dija se do të luaja pak, por mendoja se do mund të shkoja në Botëror me Argjentinë. Më pas erdhi oferta nga Barcelona.
E zgjidhëm çështjen e transferimit në Spanjë brenda dy ditësh. Fola me Lionel Messin menjëherë dhe ëndërroja që të luaja në nëj skuadër me atë. Më pas mora vesh lajmin se ai do të largohej, mendova se bëhej fjalë për një lajm të trilluar pasi vetë Messi më kishte siguruar se do të kthehej në stërvitje me Barcelonën dhe se do të rinovonte kontratën.
Më pas e takova Messin dhe ishte shumë i trishtuar që aventura e tij me Barçën po mbyllej në atë formë. Drejtuesit e klubit më ofruan numrin 10, por nuk e pranova. Do ta vishja 10-tën në çdo klub, por i thashë drejtuesve të Barcelonës ta ruanin sepse Messi do të kthehej një ditë. I propozova gjithashtu t’ia jepnin Ansu Fati. Por, dihet se fanella me numër 10 e Barcelonës do të jetë gjithmonë e Barcelonës”, u shpreh Aguero./SuperSport
Top Channel