“Komisioni i Reformës Zgjedhore nesër ka shansin të ecë përpara pas teatrove që bënë për ta penguar”, Basha: Ne duam lista të hapura

08/02/2024 20:12

Kryetari i Partisë Demokratike zyrtare, Lulzim Basha gjatë takimit me demokratët e degës 7 në Tiranë tha se nesër Komisioni i Reformës Zgjedhore ka shansin të ecë përpara pas teatrove që u bënë për ta penguar.

Ndërsa theksoi se me këtë Kod Zgjedhor nuk ka zgjedhje, ai tha se duhet të ketë lista të hapura, Shqipëria një zonë elektorale dhe votën e emigrantëve.

Sipas Bashës, kryeministri Edi Rama nuk do ta ndryshojë sistemin dhe ka njerëz brenda opozitës të cilët  duan të njëjtën gjë që por s’kanë guximin ta thonë.

“Nesër komisioni i reformës zgjedhore pas të gjithë teatrove së bashku që kanë bërë për ta penguar, ka shansin të eci përpara, sepse e dimë të gjithë me këtë kod zgjedhor nuk ka zgjedhje. Sigurisht Edi Rama nuk do ta ndryshojë sistemin, ka mjaftueshëm njerëz brenda opozitës të cilët me skuthllëk duan të njëjtën gjë që do Edi Rama por s’kanë guximin ta thonë. Por ne duam atë që duan shqiptarët. Ne duam lista të hapura që njerëzit të zgjedhin atë që duan ata, votimin elektronik, barazia e votës përmes Shqipërisë një zonë elektorale dhe së fundmi votën e emigrantëve, votën e shqiptarëve jashtë Shqipërisë. Sot lexova diku që i pari i qeverisë diku nga Luksemburgu paska thënë që nuk bëjmë dot sepse nuk kemi regjistrin e të dhënave. Ka propozimin e PD në përputhje me praktikat më të mira të vendeve të BE që praktikojnë votën e shtetasve të tyre jashtë vendit. Ndaj dua t’u them atyre shqiptarëve në takimin në Luksenburg dhe të gjithë shqiptarëve jashtë vendit që kryeministri ju gënjen”, tha Basha.

Top Channel