Bagdad tha sot se SHBA ‘është kthyer në një faktor destabilizimi dhe kërcënon të ngatërrojë Irakun në ciklin e konfliktit’.
Iraku ka denoncuar një sulm me dron të ushtrisë amerikane në Bagdad ku u vra drejtuesi një grupi militant të lidhur me Iranin, duke thënë se koalicioni ushtarak i drejtuar nga SHBA “po kthehet në një faktor për destabilizim”, shkruan rrjeti i Katarit Al Jaseera.
Zëdhënësi i ushtrisë vendase Yahya Rasool tha se sulmet e përsëritura nga SHBA po shtyjnë qeverinë e Irakut drejt fundit të misionit të koalicionit ushtarak.
SHBA ka kryer goditje të shpeshta ndaj objektivave e grupeve të armatosura të lidhura me Iranin, si dhe sulme me dron ose me artileri ndaj trupave të tyre në Irak e Siri.
Në sulmin e mbrëmshëm raportohet se u vra një drejtues i grupit ‘Kataib Hezbollah’, i cili mbështetet nga Irani, për të cilin Pentagoni ka thënë se është autor i një sulmi ku u vranë tre ushtarë amerikanë në Jordani.
Automjeti i goditur raportohet se i përkiste grupeve të armatosura të mbështetura nga Irani.
Por Rasool shtoi se forcat e koalicionit amerikan po godasin në mënyrë “të vazhdueshme e pa përgjegjësi” duke kryer në vendin e tij “operacione të qarta eliminimi”, të cilat sipas tij nuk merakosen për jetët e civilëve dhe për ligjin ndërkombëtar.
Sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken ka thënë se Uashingtoni po “bombardon objektiva në këtë rajon jo për të nxitur përshkallëzimin, por për ta parandaluar atë”, raporton gazetari i Al Jazeera, Shihab Rattansi, nga Uashington.
“Ka bërë të ngrihen shumë pikëpyetje mbi përshkallëzimet e konfliktit që po shihen në rajon, që janë të lidhura me bombardimet e Izraelit në Gaza. Por e vetmja gjë që SHBA nuk bën është të ndalojë Izraelin të bombardojë Gazën”, tha Rattansi.
SHBA ka disa baza ushtarake në Irak që përdoren dhe nga aleatët e saj që prej luftës kundër ISIS.
Muajin e kaluar kryeministri iraken Mohammed al-Sudani tha se kërkon bisedime për diskutimin e mbylljes së misionit të koalicionit amerikan në vend.
“Zyrtarët e administratës thonë se kjo nuk ka mbaruar dhe se do të ketë më shumë sulme në kohën dhe vendin që zgjedh SHBA”, tha Rattansi.
Top Channel