Përfaqësuesja e Kosovës vazhdon të jetë ende pa trajner pas largimit të sllovenit Primoz Gliha, i cili ishte i përkohshëm në krye të Dardanëve.
Federata e Futbollit të Kosovës ka pasur takime të shumta me shumë trajner, por duket se ata kanë vendosur për një gjerman që të jetë në stolin e Përfaqësueses. Top Channel mëson se është pikërisht kjo zgjedhje që ka bërë edhe refuzimin e presidentit të Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi ndaj alternativës së Gianni de Biasit, ish-trajneri i kombëtares shqiptare.
Në takimin e tyre të fundvitit të shkuar, ku ka patur edhe “mblesërira” nga miqtë politikanë të De Biasit në Shqipëri, për ta ndihmuar e për ta afruar me stolin e përfaqësueses së Kosovës, presidenti Agim Ademi ka zbuluar se që në dhjetor kishte arritur një paramarrëveshje me një trajner gjerman.
Mediat austriake konfirmojnë një gjë të tillë duke zbuluar se trajneri i ardhshëm i Kosovës me shumë mundësi është gjermani Franco Foda. 57-vjeçari ka pasur takim me krerët e FFK-së, madje ka qenë edhe në Kosovë ku ka rënë dakord për detajet e fundit. Rikthimi i tij në Austri ka qenë pikërisht nga aeroporti i Prishtinës, një tjetër element ky i përdorur për konfirmimin e fjalëve që qarkullonin tashmë prej kohësh.
Top Channel