Shpërndau sekretet shtetërore tek anëtarët e krimit të organizuar, dënohet me 14 vite burg zyrtari i Kanadasë

07/02/2024 18:39

Një ish-anëtar civil i forcës së policisë kombëtare të Kanadasë është dënuar me 14 vite burg për nxjerrjen e informacioneve shtetërore.

Prokurorët argumentuan se 51-vjeçari Cameron Ortis, ndante sekretet e qeverisë me figura të krimit të organizuar.

Ortis e ka mohuar këtë, teksa shtoi se po punonte fshehurazi për të parandaluar “një kërcënim të madh për Kanadanë”.

Gjykatësi Robert Maranger deklaroi këtë të mërkurë se dënimi do të llogarisë edhe kohën ku a ka qëndruar në burg më parë, pra 51-vjeçarit i kanë mbetur edhe shtatë vite të tjera burg, sipas BBC.

Rasti shënoi herën e parë që ligji aktual i Kanadasë për spiunazhin u testua në një gjyq.

Çfarë duhet të dini për gjyqin e akuzave kundrejt Cameron Ortis:

Prokurorët kishin kërkuar një dënim me 28 vjet burg për Ortis, duke thënë se një dënim i butë do t’u dërgonte një mesazh aleatëve të Kanadasë, përfshirë SHBA-në dhe Britaninë e Madhe, se vendi nuk është në gjendje të mbrojë informacione të ndjeshme.

Por avokatët e tij argumentuan për një dënim më të shkurtër prej shtatë vjetësh, pasi Ortis kishte kaluar tashmë tre vjet pas hekurave ndërsa priste gjyqin. Avokati mbrojtës Jon Doody tha se klienti i tij “humbi gjithçka” gjatë asaj kohe, duke përfshirë punën, miqtë dhe kursimet e tij.

Ortis u arrestua në vitin 2019 për gjashtë akuza, duke përfshirë shkeljen e ligjeve të sigurisë kombëtare. Ai u shpall fajtor për të gjitha akuzat.

Prokurorët thanë se Ortis e përdori rolin e tij për të nxjerrë informacione të rëndësishme në vitin 2015, te tre anëtarë të një rrjeti ndërkombëtar të pastrimit të parave dhe një njeriu të quajtur Vincent Ramos.

Ai i kërkoi Ramos gati 27,500 dollarë kanadezë në këmbim të ndarjes së informacionit mbi operacionet e policisë, thanë prokurorët, megjithëse nuk ka prova se ai ka marrë ndonjëherë pagesa.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA