Inside Story/ Kontrolli i fermave, ekspertët: Certifikatat fitosanitare shpesh dalin nul

07/02/2024 21:37

Në krye të kësaj piramide qëndron Ministria e Bujqësisë, që harton politikat përkatëse dhe poshtë saj janë disa institucione që kanë role të ndare.

Aktualisht, fermat nuk i kontrollon askush zyrtarisht për shkak të përplasjes së kompetencave. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, i cili ka qenë i vetmi institucion me këtë kompetencë nuk e ka kryer asnjëherë. Ndërkohë me ndryshimin e ligjit së fundi, kjo e drejtë për kontrollin e pesticideve në ferma iu njoh edhe Autoritetit Kombëtar i veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve.

Por për këtë institucion nuk kanë dalë ende aktet nënligjore, dhe rrjedhimisht nuk ka marrë ende statusin e inspektoriarit. Si e tillë as ky institucion ligjërisht nuk futet dot në fermë për të kontrolluar. Si pasojë e kësaj kakofonie nuk funksionojnë as strukturat lokale dhe rajonale. Rreth 300 agronomë të shpërndarë në Shqipëri, pjesë e shërbimit të këshillimit, nuk mbërrijnë dot tek fermerët.

“Pesticid? Po ne këtu i marrim vetë moj. Ku ka këtu agronom moj, kush mban përgjegjësi këtu moj. Të japin një qese dhe thonë ik hidhja tokës dhe ne i hedhim“, u shpreh Fiqiri Sinani, fermer.

Kur një produkt niset për eksport, është e detyrueshme që të ketë me vete certifikatën fitosanitare, që tregon se prodhimi është i pastër nga dëmtuesit karantinorë. Por në shumicën e rasteve, ekspertët thonë se kjo certifikatë është nul.

“Këtu në Shqipëri ka akoma çudira, agronomi firmos pa e ditur se ku është vjelë produkti dhe me çfarë është trajtuar. Tregtarët pasi marrin tek 20-30 fermerë mbushin një trajler, lajmërojnë agronomin që është caktuar nga Ministria e Bujqësisë, ai vjen dhe nuk e di as se i kujt është ai produkt as se çfarë ka brenda, as me çfarë është trajtuar por thjesht për procedurë e firmos qorrazi dhe pastaj kur bëjnë ato analizat del”, u shpreh Eduart Sharka, ekspert i politikave bujqësore.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA