Greqia do të hapë stadiumet e saj që tifozët të shohin ndeshjet e futbollit të kampionatit grek nga data 13 shkurt, dy muaj pasi klubet u urdhëruan të luajnë me dyer të mbyllura pas plagosjes së rëndë të një oficeri policie në incidente dhune me huliganët gjatë një ndeshje volejbolli që sollën edhe vdekjen e tij disa ditë më pas.

Në një konferencë shtypi me pjesëmarrjen e tre ministrave është bërë me dije se tifozët vërtet do të lejohen të hyjnë në stadiume për të ndjekur ndeshjet e Superligës së parë  greke nga 13 shkurti, por rregullat do të jenë shumë më të rrepta.

“Aspirojmë dhe duam që zbatimi i ligjit të vendosë futbollin dhe të gjitha sportet në një epokë të re. Greqia meriton një ambient sportiv më të mirë. Të gjithë jemi kundër dhunës, jemi të gjithë aleatë në këtë drejtim“, u shpreh Giannis Vroutsis-zëvendësministër e Sportit.

Nga data 13 shkurt stadiumi do të mbyllet menjëherë dhe ndeshja e ardhshme do të zhvillohet pa tifozë nëse një pishtar një fishekzjarr, apo objekt i rrezikshëm,bie brenda fushës së lojës.

Gjithashtu nga data 6 mars  asnjë stadium i Superligës në futboll apo i Basket Leagës nuk do të hapet për tifozët pa funksionimin e kamerave . Prej datës 9 prill sportdashësit do të kenë akses në stadiume me biletën elektronike nëpërmjet aplikacionit gov.gr.

“Vlen gjithashtu të theksohet se po krijojmë një listë të «zezë», një listë të «zezë», të personave që nuk do të lejohen të hyjnë në stadiume. Nëse dikush përpiqet të fusë një biletë të një personi nga lista , sistemi automatikisht do ta “hedhë ” jashtë”, tha Dimitris Papastergiou-ministër i Qeverisjes Dixhitale.

Masat në fjalë parashikojnë edhe shoqërimin e fëmijëve nën moshën 15 vejë në stadiume, si dhe identifikimin e tifozëve të huaj nëpërmjet pasaportave. Ka vite që qeveria greke po përpiqet të reformojë procedurat e hyrjes në stadiume pasi zënkat midis tifozëve të futbollit të klubeve  të ndryshme, janë të shpeshta brenda dhe jashtë fushave para ose pas ndeshjeve, aty ku mbizotërojnë bandat kriminale dhe një pakicë huliganësh.

Greqia është tronditur gushtin e kaluar kur rreth 150 huliganë kroatë të Dinamos së Zagrebit janë përleshur me ata të AEK-ut dhe gjatë incidenteve ka humbur jetën një 29 vjeçar grek.Ndërsa në shkurtin e të njëjtit vit në Selanik rreth 12 huliganë të PAOK-ut mes tyre edhe tifozë me origjinë shqiptare, kanë qëlluar me thikë dhe sende të forta tre të rinj, duke i marrë jetën 19 vjeçarit Alkis Kampanos.

Top Channel