Bashkimi Europian kërkon dënime më të ashpra për martesën e detyruar, përndjekjen online dhe rastet e përdhunimit.
Nuk pati ujdi vetëm për unifikimin e dënimeve në raste përdhunimi. Pse Gjermania ishte kundër?
Dhuna e seksualizuar dhe ajo familjare në BE do të dënohen më ashpër në të ardhmen. Negociues të Parlamentit Europian dhe vendeve të BE ranë në ujdi në Strasburg për një ligj, me të cilin disa vepra penale do të ndiqen ligjërisht njësoj kudo në BE. Sipas të dhënave të vendeve të BE dhe Parlamentit Europian, ky është ligji i parë i BE në luftën kundër dhunës së seksualizuar mdaj grave.
Cyber-stalking-përndjekja në internet, martesa e detyruar, gjymtimi gjenital i vajzave, apo dërgimi i fotove intime pa mirëkuptimin e palës tjetër në të ardhmen në të gjithë BE do jenë të dënueshme. Vetëm tek standardet e njëjta për përdhunimin nuk pati ujdi në BE.
Rregulloret e reja do duhet të marrin miratimin e Parlamentit dhe vendeve anëtare të BE. Në shumicën e rasteve kjo është vetëm një procedurë formale. “Sot po bëjmë hapin e parë që ta bëjmë Europën kontinentin e parë të botë që mënjanon dhunën kundër gruas”, tha kryenegociatorja e Parlamentit Europian, Frances Fitzgerald.
Grindje për përkufizimin e përdhunimit
“Nuk arritëm dot ujdi në përkufizimin e përdhunimit”, tha Fitzgerald, duke e quajtur “zhgënjim vërtet të madh, pikërisht, kur shikon shifrat e larta të akteve të dhunës në Europë.” Parlamenti Europian kishte kërkuar në lidhje me përdhunimin një rregullore, sipas së cilës të gjitha veprimet seksuale duhet të jenë të miratuara. Vetëm PO do të thotë PO. Disa vende në BE, mes tyre Franca dhe Gjermania, e bllokuan këtë. Kritikët e kësaj rregulloreje argumentuan, se për të nuk ka një bazë ligjore të njësuar në të drejtën europiane.
BE i tejkalon kompetencat e saj, nëse njëson në të gjithë BE dënimin për veprën penale të përdhunimit, u tha nga kritikët. “Për këtë mund të shprehësh keqardhje. Mund të kuptoj, se njerëzit duan diçka tjetër. Por e drejta primare europiane është kështu siç është”, tha ministri gjerman i Drejtësisë, Marco Buschmann, (FDP).
Planifikohen linja telefonike kombëtare 24 orë të hapura
Më parë 100 personalitete femra në një letër të hapur i kishin kërkuar ministrit gjerman të Drejtësisë, Buschmann të heqë dorë nga bllokimi i rregullores. “Jam shumë e zhgënjyer që disa vende anëtare vendosën të kalojnë në anën e gabuar të historisë”, tha eurodeputeja socialdemokrate, Evin Incir. Por u vendos që në të ardhmen vendet e BE të ngrenë linja telefonike falas për ndihmë, të cilat duhet të jenë të hapura 24 orë për të viktimat e dhunës. Përveç kësaj vendet anëtare duhet të marrin masa për të penguar dhunën kundër gruas dhe atë familjare. Këto duhet të synojnë vetëdijesimin për format e dhunës kundër gruas dhe luftimin e stereotipeve gjinore kundër gruas. /DW
Top Channel