Pamjet e mësipërme janë kapur nga kamerat e sigurisë së banesës së 34-vjeçarit Asqeri Mandri në Kodër Kamëz, i cili i kishte instaluar për të monitoruar bashkëshorten e tij.
Në pamje shihet teksa 34-vjeçari po luan me vajzat, dhe gazetarja Dorjana Bezat mëson se pas këtij momenti, Mandri çohet dhe dhunon bashkëshorten në sy të fëmijëve të mitur.
Në banesë, Asqeri Mandri mbante të izoluar bashkëshorten e tij nënën e 4 fëmijëve. Xhelozia e Asqeri Mandrit shkonte përtej kamerave dhe kyçjes në banesë, ai edhe e dhunonte bashkëshorten e tij. Kamerat e sigurisë që ai vetë i kishte montuar brenda dhe jashtë shtëpisë, janë një provë e fortë kundër tij pasi kanë filmuar momentet kur 34-vjeçari dhunon bashkëshorten në sy të tyre.
Në dëshminë që e reja ka dhënë para uniformave blu tregon se i shoqi ka qenë gjithmonë xheloz, por largimi si emigrant e ka bërë edhe më agresiv. Ajo tregon se i shoqi është i varur nga bixhozi dhe herë e ndalonte të dilte në punë e herë të tjera i kërkonte pse nuk sillte më shumë para në shtëpi. Episodet e dhunës u bënë të shpeshta ç’ka e detyruan të denoncojë në polici.
Kjo dhunë ushtrohej në sy të kunatit dhe vjehrrës por ata nuk folën. Ata jo vetëm mohojnë dhunën por ngarkojnë me faj nusen e shtëpisë duke e akuzuar se i ka ngritur kurth bashkëshortit duke e kthyer nga emigrimi për ta futur në burg.
“Nusja doli nga rruga e mirë. Shkonte në punë dhe rrogën nuk na e dorëzonte. Djalin nuk e pyeste fare, rrinte në telefon në vesh dashnor pas dashnori. Madje edhe e kam parë duke bërë video në dhomën e gjumit”, shprehet nëna e 34-vjeçarit.
Qëndrim mohues mbajti dhe 34-vjeçari para uniformave blu. Sipas tij zënkat me bashkëshorten janë si në çdo çift dhe nuk ka ushtruar dhunë, ndërsa përsa i përket kamerave ai ka thënë se i ka vendosur për të qenë më pranë familjes dhe fëmijëve të tij gjatë kohës që nuk ndodhej në Shqipëri.
Pas arrestimit, familjarët e Asqeri Mandrit pretendojnë se ai ka shfaqur probleme të shëndetit mendor të cilat do të vlerësohen nga një ekspert mjekoligjor.
Top Channel