E ftuar në “Breaking”, Beskida Aliaj, drejtuese e Inas Cisl Albania, tregoi detaje të tjera për firmosjen e marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Italisë të njohjes reciproke të pensioneve.
Kryeministri Edi Rama ndodhet sot në Romë, aty ku do të firmoset dokumenti i marrëveshjes për njohjen reciproke të Sigurimet Shoqërore.
Aliaj tregon se kush janë kushtet e përfitimit të shqiptarëve që dalin në pension, apo edhe ata italianë në Shqipëri. Sipas saj, nëse je në një punë i siguruar dhe e ke ushtruar këtë punë edhe në Shqipëri edhe në Itali do të të quhen të gjithë vitet e punës, pra kudo që të kesh punuar në këto dy vende.
“Mosha e daljes në pension në Itali është 67 vjeç. Do jetë kjo kategori që mund të plotësojë moshën 67 vjeç, duke bashkuar vitet e punës, do ju quhet një shumë e madhe vitesh në mënyrë figurative. Për shembull, një emigrant i Italisë mund të ketë punuar në Shqipëri 10 vite dhe arrin në vendin e tij, ku punon dhe 10 vite të tjera dhe në total i quhen 20 vite punë. Në sajë të marrëveshjes do të quhen 20 vite dhe sipas ligjit shqiptar duhet të kesh minimum 15 vite punë për të marrë një pension minimal, ndërsa në Itali është 20 vite punë me siguracione. Secili nga shtetet do të japin një pension për ato 10 vite që ka punuar në secilin shtet”, tha Aliaj.
Ndërkohë përfitimi i dytë është se sa vjetërsi pune ke si individ në Itali. Në bazë të kësaj, pra nëse ke ushtruar 42 vite e 10 muaj punë për burrat dhe 41 vite e 10 muaj punë për gratë, automatikisht mund të dalësh në pension para moshës 67 vjeç.
“Rasti i dytë është që Italia të jep pension me vjetërsi pune, ku në rast se qytetari ka 42 vite e 10 muaj kontribute në Itali për burrat dhe 41 vite e 10 muaj për femrat, mund të dalin në pension në çfarëdo moshe qofshin, pra mund të dalësh në pension edhe 57 vjeç nëse ti ke punuar 45 vite”, tha ajo.
Aliaj sqaron se “secili shtet do të japë pjesën e vet, për aq kohë sa ka kontribuuar emigranti. Pra Shqipëria nëse ka kontribuar për ato vite do të japi një pension prej 50 mijë lekë të vjetrash. Masa e pensionit do të jetë e ndryshme dhe kjo varet nga disa elementë, sasia e viteve dhe sa je paguar për atë punë”.
Për sa i përket aplikimit, në rast se ky aplikim kryet në Shqipëri, pensioni do transferohet nga Italia dhe e kundërta, pra I gëzon të drejtat e plota.
Për ata persona që e kanë kaluar moshën e daljes në pension, Aliaj thotë se ligji nuk efekt prapaveprues. Pra fatkeqësisht ata që kanë dalë në pension e kanë humbur këtë të drejtë. Ligji do e fillojë efektin që nga ky moment dhe mbrapa.
“Numri i përfituesve është 200 mijë emigrant kontribuues, nga totali, që është 700 mijë emigrantëve që ndodhen në Itali, jo të gjithë janë në moshë për pension, kemi kontribuues edhe në moshë të re, ndërsa sipas INSTAT llogariten 25 mijë pensionistë në vit”, tha Aliaj.
Top Channel