Protesta e përleshje në rrugët e Dakar pas shtyrjes së zgjedhjeve presidenciale në Senegal (fotot)

05/02/2024 19:39

Njerëz në rrugët e Dakar janë përplasur sot me zyrtarët e policisë pas njoftimit të mbrëmshëm për shtyrjen e zgjedhjeve presidenciale të Senegalit.

Edhe në parlamentin e vendit kishte sot përplasje mes deputetëve që debatonin vendimin e parecedentë të shtyrjes së zgjedhjeve të këtij muaji.

Jashtë forcat e sigurisë përdorën gaz lotsjellës për të shpërndarë grupe protestuesish opozitarë teksa demonstruesit brohorisnin “Macky Sall diktator!” duke iu referuar presidentit aktual.

Senegali konsiderohej nga vendet më të qëndrueshme në Afrikën perëndimore pasi disa grushtesh shteti në kontinent, por prej njoftimit të të shtunës tensionet kanë qenë të larta.

“Le të mos kthehemi në parlamentin e turpit. Le të sigurohemi që mund të shikojmë në sy familjarët tanë duke thënë se i rezistuam padrejtësisë,” tha deputeti opozitar Abass Fall gjatë debatit.

Ligji i ngritur nga partia e Sall ka nevojë për tre të pestat e mbështetjes nga 165 deputetët e vendit.

Protestuesit dhe opozita denoncojnë masën si një “grusht shteti” dhe sulm ndaj demokracisë.

Sot agjencitë qeveritare thanë se po kufizonin internetin për të ndaluar ‘përhapjen e dezinformimin dhe mesazheve subversive’.

Shtyrja e zgjedhjeve ka sjellë kritika dhe nga Franca, SHBA e BE të cilat kanë apeluar për ricaktimin sa më shpejt të datës së zgjedhjeve.

Ndërsa kreu i Unionit Afrikan, Moussa Faki Mahamat, nxiti Senegalin të zgjidhë debatin politik me konsultime e dialog.

FOTO GALERI
1/5
Njerëz në rrugët e Dakar janë përplasur sot me zyrtarët e policisë pas njoftimit të mbrëmshëm për shtyrjen e zgjedhjeve presidenciale

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA