Seanca parlamentare e kësaj të hëne shënoi hapin e parë të bashkimit të demokratëve. Në një aksion të dyfishtë, brenda dhe jashtë saj, deputetët e grupit Bardhi dhe ato të Rithemelimit sinkronizuan veprimet e tyre.
Garda kishte marrë masat të mbyllte dyert e Kuvendit jo vetëm për deputetët e përjashtuar, por edhe ata që nuk kishin një dënim, vendim që zemëroi demokratët.
“Na lini të futemi dhe ne qe nuk jemi të përjashtuar“-u shprehën deputetët.
Rebelimi i deputeteve i jepte zjarr protestuesve të cilët ndiqnin betejën përmes ekranit.
Dueti Bardhi Noka me kordonin e Gardës së Republikës dhe goditja pa shënjestër e Asllan Dogjanit me rregulloren e Kuvendit, brenda sallës, bëri që Lindita Nikolla të ndërpriste punimet menjëherë sapo pajisja zhurmuese u ndez.
Përplasjet brenda sallës ndodhnin në një kohë kur jashtë saj hidheshin flakadanë dhe kapsolle.
Ajo që bëri lajm ishte deklarata e Gzment Bardhit për bashkimin e demokratëve në protestë.
Gazetarja Elda Menga: Do shkoni në protestë?
Gazment Bardhi: Sigurisht do bashkohemi në çdo protestë kundër Edi Ramës
Gazment Bardhi zgjodhi të mos flasë para protestuesve, ndërkohe në podium me radhë u ngjitën deputetët që ndjekin linjën e tij.
“Gjithë kohen tani e mbrapa duhet ta shfrytëzojmë për tu përballur me qeverinë, të përballemi me Edi Ramën, duke lënë pas gjithçka qe kemi pasur me njëri tjetrin“- u shpreh Salianji.
I gjendur mes protestuesve, të cilët e kishin mbërthyer për krahu, Gazment Bardhi u gjend poshtë ballkonit të Sali Berishës i cili paralajmëroi protestën e radhës më 20 shkurt.
Hapi i bashkimit u hodh, por Gazment Bardhi hezitoi të pranonte kur u pyet nga Top Channel nëse e pranon Sali Berishën si lider politik të këtij bashkimi.
Gazetarja Elda Menga: E njihni Berishën si liderin politik të bashkimit?
Gazment Bardhi: Faleminderit!
Top Channel