Ndahet nga jeta në moshën 70-vjeçare valltarja e njohur e Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore, Liljana Cingu.
Lajmi është konfirmuar nga mjeshtri i valleve në Ansamblin e TKOB dhe njëherazi miku i vallëtares, Genc Kastrati. Përmes një mesazhi në rrjetet sociale, Kastrati u ka shprehur ngushëllime familjarëve të Cingut, teksa shkruan se artistja ishte shembulli më i mirë i artit dhe bukurisë shpirtërore që mund të sjellë një artist.
“Me zemrën e mbushur me trishtim dhe respekt, e shkruaj këtë status për të shprehur ndjenjat e mia për humbjen e një figure të shquar të artit dhe kulturës shqiptare, “Mjeshteren e Madhe”, “Nderin e Kombit”, znj. Lili Cingu. Ajo ishte shembulli më i mirë i artit dhe bukurisë shpirtërore që mund të sjellë një artist. Përmes performancave të saj me Ansamblin Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore, ajo jo vetëm që magjepsi audiencën, por edhe u mësoi brezave të ardhshëm rëndësinë e trashëgimisë kulturore. Performancat e saj do të mbeten në kujtimet tona si momente të paharruara dhe si një dëshmi e qartë e dashurisë së saj ndaj artit.
Ndërsa përballemi me humbjen e saj, le të kujtojmë dhe të çmojmë kujtimet dhe mësimet që na la “Mbretëresha e valles Shqiptare” Lili Cingu. Ajo do të vazhdojë të jetojë në zemrat dhe mendjet tona përmes artit të saj dhe pasionit të papërsëritshëm që shprehu në çdo hap të jetës së saj.
Me respektin më të thellë dhe ngushëllimet më të sinqerta, familjes dhe miqëve të saj”- shkruan Kastrati.
Artistja e mirënjohur ishte një nga valltaret shqiptare më të mira shqiptare, e nderuar me disa tituj për karrierën e saj artistike, si “Nderi i Kombit” dhe “Mjeshtër i madh”.
“Lili”, sikurse e thërrisnin të njohurit Liljana Cingun, ishte një nga valltaret shqiptare që krijoi një personalitet tipik të sajin jo vetëm në skenë, por edhe jashtë saj. Vitet e saj, të fshehura me hijeshi pas veshjeve elegante, tregojnë për një femër që i mbijetoi kohës falë pasionit për vallet e bukura shqiptare.
“Unë në çdo valle jam ndjerë e mirë, por duke e ditur që im atë është nga Gjakova, e ndjej për detyrë dhe si amanet të tim ati, që vallen kosovare ta kërcej dhe ta sjell sikurse ajo është, shumë e bukur”- do të shprehej Cingu, ndërsa fliste për pasionin e saj për vallet dhe folklorin duke e konsideruar pasurinë e kombit.
Top Channel