Nelson dhe Tanya po e vizitojnë Shqipërinë në dimër. Ata vijnë nga Australia dhe janë të interesuar për të njohur jetën lokale, atraksionet e fshehura dhe mënyra kreative për të mësuar rreth të shkuarës historike të vendit.
Në Sarandë ata janë ndalur në galerinë lokale të artit ku është duke u ekspozuar një koleksion kronologjik veprash. Piktori Lefter Çeko që drejton galerinë i prezanton me dy vepra të fundit që i janë shtuar fondit. Skulpturat e një kampionisti nga Lesko Ligu dhe ajo e një kooperativisteje nga Leonidha Zhidro vepra të krijuara rreth viteve ’60 e që mbajnë mbi vete gjurmët e kohës. 63 veprat me natyrë peisazhin, portretin, karakteret njerëzore por edhe aspekte të përdorimit të artit si mjet i propagandës gjatë diktaturës prezantojnë një qasje interesante dhe pak të njohur për vizitorët e huaj.
“Ky udhëtim në histori është mbreslënës sidomos kur jeton kaq larg dhe nuk di asgjë për Shqipërinë , befasohesh që e zbulon atë përmes veprave të artit dhe shpjegimeve. Sheh sesi gjithçka ka evoluar. Është vërtetë një galeri e bukur“- shprehet Tanya Ward.
Veprat e rreth 60 autorëve përcjellin frymën e kohës kur janë krijuar, hapësirën e lirisë dhe kufizimeve për artistët, dinamikën e ngjarjeve që rrethonin jetën e përditshme dhe diferencat në stilin e të shprehurit përmes penelit dhe daltës.
“Duke parë pikturat më të vjetra këtu, ti e kupton qartësisht se artistëve ju është dashur të pikturojnë në një mënyrë të caktuar. Projektohet një frymë solidariteti dhe njerëz që punojnë bashkë por kuptuam që ishte një mjet propagande dhe se jeta nuk ishte fiks ashtu siç duket në piktura.Është e trishtë të mendosh se shumë vepra arti kurajoze nga ajo periudhë mund të jenë shkatërruar”- shprehet Nelson Graham.
Si çdo vit galeria funksionon edhe si muze me veprat e veta. Përzgjedhja lidhet me një ekspozitë retrospektive që nga veprat e para e më të vjetra e deri tek veprat e autorëve modernë nga shumë vende të botës gjithashtu rryma të ndryshme të artit teknika dhe materiale diverse.
“Qëllimi galerisë është të informojë rreth artit. Në këtë ekspozitë vizitori duhet të jetë në gjendje të kuptojë si krijohej më parë dhe si krijohet tani, me çfarë syri e shohin qytetin tonë të bukur, në ngjyra, në formë grafike, sidomos në raport me dritën që është karakteristike, mëngjesin, pasditen lëvizjen e njerëzve. Veprat janë realizuar në forma realiste, impresive dhe moderne që nga njollat e pikturave, të peshqve, të hijes, të dritës dhe të gjithë spektrit që frymëzon ky qytet“- shprehet drejtuesi i galerisë, Lefter Çeko.
Gjatë 11 viteve që prej çeljes së galerisë në Sarandë janë organizuar mbi 60 ekspozita. Me rreth 5500 vepra të ekspozuara ndërsa fondi i galerisë po shkon në 300 vepra.
Top Channel