Sulmuesi i Ballkanit, Albin Berisha do të vijojë karrierën në Rumani te Petrolul 52.
SuperSport mëson dhe detajet e kësaj lëvizjeje, teksa kampionët e Kosovës kanë shtuar dhe 200 mijë euro të tjera në arkën e tyre. Ndërkohë që kanë ruajtur edhe 20% të kartonit të 23-vjeçarit nga Theranda. Kampionët e Kosovës janë kthyer në një trampolinë për shumë futbollistë. Berisha është futbollisti i pestë që shitet nga Ballkani, duke i sjellë klubit një shumë të konsiderueshme.
Krahas ecurisë fantastike në arenën ndërkombëtare, me dy pjesëmarrje radhazi në fazën e grupeve të Conference League, klubi Theranda po punon shumë në tregun e transferimeve. Dhe në dy sezonet e fundit kanë shitur Ermal Krasniqin, Albion Rrahmanin, Meriton Korenicën, Qëndrim Zybën. Dhe së fundmi Albin Berishën.
Transferimi më i bujshëm ishte i Rrahamnit, i cili kaloi te Rapidi në Rumani për shifrën 600 mijë euro. Qëndrim Zyba është huazuar në Poloni me të drejtë blerjeje për 400 mijë euro nga Legia e Varshavës. Krasniqi kaloi te rumunët e Cluj për 300 mijë euro në verën e vitit 2022.
Për 200 mijë euro u transferua edhe Korenica në verë tek Manisa, në Turqi, ndërsa e njëjta shifër po përfitohet edhe nga Berisha në elitën e futbollit rumun. 1.7 milionë euro vetëm nga shitjet e lojtarëve, e bëjnë Ballkanin klubin më të suksesshëm në Kosovë. Ilir Daja po bën një punë fantastike, pasi ka arritur që në çdo rast të mbajë skuadrën në nivele të larta, duke ju marrë më të mirën lojtarëve të tij.
Drejt largimit është dhe Nazmi Gripshi, i cili kërkohet nga Cracovia (Poloni) për 400 mijë euro. Nëse realizohet shitja e tij, atëherë në rreth dy vite Ballkani arrin mbi 2 milionë euro arkëtime nga shitja e lojtarëve.
Kampionët e dyfishtë të Kosovës janë kthyer në një shembull suksesi. Si për klubet e Kosovës, ashtu dhe për ato të rajonit, pasi po i shfrytëzon maksimalisht dy burimet kryesore për të fituar të ardhura: nga pjesëmarrja në arenën ndërkombëtare si dhe nga shitja e lojtarëve.
Top Channel