Kurt Hamrin, lojtari i fundit i mbetur nga finalja e Kupës së Botës 1958 është ndarë nga jeta këtë të dielë, në moshën 89-vjeçare.
Mesfushori suedez, i cili kaloi pjesën më të madhe të karrierës së tij në Itali, ka luajtur për disa nga emrat më të mëdhenj të futbollit italian, si Milan, Juventus, Napoli, Fiorentina apo edhe Padova.
Hamrin, i njohur si “Kurre”, luajti në finalen e Kupës së Botës 1958, sfidë në të cilën Suedia u mund me rezultatin 5-2 nga Brazili.
“Futbolli suedez ka humbur një nga të mëdhenjtë e tij. Nuk ishte vetëm rekordi, golat, pasimet dhe puna e palodhur në krahun e djathtë që e bënë ‘Kurren’ një legjendë që nuk u harrua kurrë, (shënoi 17 gola në 32 paraqitje për vendin e tij), ai ishte një person besnik dhe popullor kudo që luante. Futbolli suedez e kujton Kurre Hamrin me ngrohtësi dhe mirënjohje të madhe. Mendimet tona janë me familjen dhe të dashurit e tij tani”, reagoi federata suedeze e futbollit.
Në Kupën e Botës 1958, Hamrin shënoi për Suedinë në fitoren e tyre në çerekfinale ndaj Bashkimit Sovjetik dhe në fitoren e tyre në gjysmëfinale kundër Gjermanisë Perëndimore, por ata u mundën nga një skuadër braziliane që përbëhej nga emra si Pele, Garrincha dhe Mario Zagallo.
Arritja kryesore me një klub në karrierën e Hamrin ndodhi në 1969 kur ai fitoi Kupën Evropiane me Milan, ndërsa ata mundën Ajax 4-1.
Gjatë kohës që kaloi me Milan, Fiorentina, Juventus, Padova dhe Napoli, Hamrin shënoi 190 gola në Serie A, duke e bërë atë të nëntin në listën e golashënuesve të të gjitha kohërave të ligës.
Top Channel