60% e punëkërkuesve të papunë të regjistruar pranë Drejtorisë së Punësimit në Gjirokastër kanë arsim 9-vjeçar dhe nuk kanë kualifikim në asnjë sektor.
Erald Banushi ekspert për punësimin në këtë drejtori bën me dije se ky fakt e penalizon mjaft punësimin e tyre në një kohë që të gjithë sektorët kanë nevojë për profesionistë të konfirmuar duke nisur nga sektori i shërbimeve, industria ushqimore, turizmi, transporti, ndërtimi etj.
“Në Drejtorinë Rajonale janë regjistruar gjithsej 5815 punëkërkues të papunë. Nga këta 60% janë me arsim 9-vjeçar dhe pjesa tjetër me arsim të mesëm dhe të lartë. Gjirokastra duke qenë një vend turistik bizneset kërkojnë më shumë tek pjesa e turizmit kështu që kemi çuar shumë prej tyre për kualifikim për kuzhinë dhe guida turistike. Mungesa e kualifikimit është një pengesë shumë e madhe për bizneset”, tha eksperti i punësimit Erald Banushi,
Kualifikimi në programe profesionale ose programet e kualifikimit në punë kanë sjellë pak rezultate sepse niveli i formimit bazë të punëkërkuesve lë për të dëshiruar. Kështu sektorë të tillë si turizmi që kërkojnë edhe kualifikime me gjuhë të huaja dhe aftësi manaxheriale, shitjeje apo marketingu përveç shërbimeve bazë janë të sfiduara mjaft prej kësaj situate. Vasil Garo përfaqësues i organizatës Visit Gjirokastra thotë se arsimi dhe sistemi i edukimit nuk është i harmonizuar me nevojat e tregut.
“Sfida mëme madhe e bizneseve jo vetëm për ne që operojmë në fushën e turizmit gjithashtu industria prodhuese dhe bizneset më të zakonshme, të tipit bar-kafe apo restorante e hotele kemi të njëjtën sfidë dhe është gjetja e punëtorëve. Punëkërkuesit aplikojnë tek zyrat e punës për të marrë asistencë dhe më pas punojnë në të zezë ose qëndrojnë në shtëpi. Sa i përket edukimit shohim që universitetet nuk po sjellin më breza që të kenë ide të reja apo kualifikime që ta vënë në lëvizje biznesin dhe ta zhvillojnë. Faktorët janë të shumtë por pagat e ulëta lidhen kryesisht me bizneset informale që zënë 50% të volumit”, tha Vasil Garo.
Pesha e fuqisë punëtore, ekspertëve e menaxherëve të kualifikuar po reduktohet vit pas viti edhe prej emigrimit drejt një tregu më favorizues kryesisht për persona të kualifikuar. Megjithëse regjistrimi i të papunëve ka njohur një rritje të lehtë në raport me vitin e kaluar raportet e profileve të punëkërkuesve anojnë drejt personave pa të ardhura dhe pa asnjë kualifikim.
Për Gjirokastrën edhe papunësia e të sapodiplomuarve është mjaft e lartë. Në një mjedis që po e lidh të ardhmen me turizmin sot mungojnë specialistët e trashëgimisë, mjedisit, agronomët dhe veterinerët sepse përzgjedhja e degëve ka synuar drejtimet tradicionale që nuk ofrojnë më kapacitete punësimi.
Top Channel