Ambasadori amerikan në Prishtinë Jeff Hovenier akuzoi të shtunën qeverinë e Kosovës që me veprimet e tyre të fundit po nxisin tensione etnike në vend të cilat sipas tij po kufizojnë mbështetjen e Shtetet e Bashkuara për Kosovën në arenën ndërkombëtare.

Në një deklaratë të publikuar të shtunën në mbrëmje, ambasadori Hovenier tha se qeveria e Shteteve të Bashkuara është thellësisht e shqetësuar për veprimet e fundit të autoriteteve të qeverisë së Kosovës që kanë një efekt të drejtpërdrejtë dhe negativ ndaj pjesëtarëve të serbëve etnikë dhe komuniteteve tjera pakicë në Kosovë.

“Këto veprime po rrisin në mënyrë të panevojshme tensionet etnike dhe si pasojë i kufizojnë mundësitë e Shteteve të Bashkuara për të shërbyer si një avokat efektiv për Kosovën në arenën ndërkombëtare”, tha ai.

 

Ambasadori amerikan përmendi operacionet e kryera gjatë javës nga policia e Kosovës dhe ministria e Punëve të Brendshme në zyrat e institucioneve paralele që mbështetën nga Serbia në komunën e Dragashit, Pejës, Istogut dhe Klinës që ndodhen në pjesën perëndimore të Kosovës si dhe në organizatën joqeveritare “Qendra për Paqe dhe Tolerancë” në Prishtinë.

“Jemi të shqetësuar edhe nga veprimet e policisë së Kosovës sot për sekuestrimin e dinarëve serb dhe veturës që transportonte për shpërndarjen e pagesave sociale nga Serbia. Ne kërkojmë nga autoritetet e Kosovës që të sigurojnë që individët për të cilët janë menduar këto pagesa të përfitimeve sociale t’i marrin ato pa vonesë”, tha ambasadori Hovenier i cili bëri thirrje që çështjet që kanë të bëjnë me strukturat e mbështetura nga Serbia duhet të trajtohen përmes dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

Të premtën, ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla tha se në bashkërendim me policinë e Kosovës, Prokurorinë dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, kanë mbyllur zyret e strukturave paralele të Serbisë që kanë vepruar brenda Kosovës.

“Me këtë rast, në Gorazhdec është mbyllur komuna ilegale e Pejës, në Osojan komuna paralele e Istogut dhe në Videjë komuna paralele e Klinës”, shkroi ministri Sveçla në rrjetet sociale duke nënvizuar se koha e paligjshmërisë ka përfunduar dhe institucioni i vetëm i Serbisë brenda Kosovës do të jetë ambasada e saj në Prishtinë.

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç dënoi të premten siç tha operacionet e policisë së Albin Kurtit.

“Enklavat në Kosovë janë sulmuar pas vendimit që është vetëm formalisht vendim nga e ashtuquajtura Banka Qendrore e Kosovës, në thelb ky është vendimi i Albin Kurtit”, tha presidenti serb.

Vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës që hyri në fuqi me 1 shkurt sipas të cilit euro është valuta e vetme që mund të përdoret për pagesa të gatshme në Kosovë ka ngritur shqetësimin të diplomatëve perëndimorë se çështja mund të nxisë tensione të reja.

Autoritetet në Kosovë kanë lanë të hapur mundësinë për një periudhë kalimtare për zgjidhjen e shqetësimeve të komunitetit serb që vazhdon të përdorë dinarin serb, por Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë kërkuar nga Kosova që të shtyhet vendimi i Bankës Qendrore menjëherë, i cili nuk është këshilluar paraprakisht.

Ambasadori amerikan Jeff Hovenier në deklaratën e tij ritheksoi kërkesën e Shteteve të Bashkuara “që Kosova të shtyjë zbatimin e rregullores së ndryshuar të Bankës Qendrore të Kosovës derisa të vendosen procedura të kënaqshme në përputhje me standardet evropiane dhe derisa popullata të jetë mjaft e informuar se si do të vazhdojë tranzicioni i përfitimeve të tyre”.

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç, akuzoi autoritetet në Kosovë se me vendimin për të ndaluar përdorimin e dinarit serb kanë për qëllim spastrimin etnik të serbëve ndërsa tha se do të kërkojë një mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Kryetari i parlamentit të Kosovës, Glauk Konjufca tha se dinari serb ka qenë gjithmonë i paligjshëm në vend dhe është keqpërdorur nga Serbia për financimin e strukturave paralele që kanë kryer veprime të paligjshme dhe të rrezikshme për shtetin e Kosovës.

Autoritetet në Prishtinë thanë se duhet të hapen kanalet e komunikimit ndërmjet Bankës Qendrore të Kosovës dhe asaj të Serbisë për këtë çështje, por presidenti serb hodhi poshtë një mundësi të tillë, duke theksuar se kjo do të nënkuptonte njohje të pavarësisë së Kosovës që Serbia vazhdon ta kundërshtojë. /VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA