Një raund i tretë i sulmeve të përbashkëta u krye nga SHBA dhe Britania e Madhe, duke synuar objektivat e rebelëve Houthi në Jemen.
SHBA-të thonë se shkatërruan gjashtë raketa anti-anije që Houthi-t po përgatiteshin t’i përdornin. Sulmet e fundit SHBA-MB ndodhën më pak se 24 orë pasi SHBA-ja shënjestroi dhjetëra objektiva iraniane përgjatë kufirit Irak-Siri, në përgjigje të një sulmi vdekjeprurës në një bazë amerikane në Jordani të dielën e kaluar që zyrtarët amerikanë thonë se ishte kryer nga një milici e mbështetur nga Irani.
Për dy ditë janë goditur 85 objektiva, në Jemen, Irak dhe Siri nga amerikanët dhe anglezët. Houthi-t kanë konfirmuar sulmet, që sipas tyre shënjestruan edhe kryeqytetin Sana’a si dhe vende të tjera në të gjithë vendin, por nuk janë raportuar viktima.
Edhe pas sulmeve hakmarrëse nuk ka tone të përshkallëzimit të një lufte rajonale. SHBA-të shprehen se po sulmojnë vetëm për të shkatërruar infrastrukturën sulmuese të rebelëve, ndërsa Irani përveç disa deklaratave me retorikë të ashpër, nuk ka marrë veprime konkrete.
Ndërkohë, rebelët e Houth-it janë zotuar të kundërpërgjigjen pasi goditjes. Një zëdhënës i grupit rebel tha në X se ky raund i tretë i sulmeve të përbashkëta MB-SHBA nuk do t’i pengonte ata nga “qëndrimi i tyre moral, fetar dhe humanitar” në mbështetje të palestinezëve.
Houthi-t kanë sulmuar anijet tregtare në Detin e Kuq që nga nëntori. Rreth 15% e tregtisë globale kalon nëpër Detin e Kuq çdo vit, me vlerë më shumë se 1 trilion dollar. Shumë firma transporti kanë filluar të shmangin zonën dhe në vend të kësaj po përdorin një rrugë shumë më të gjatë rreth Afrikës Jugore.
Top Channel