Liverpool gjunjëzon Chelsea/ Fitojnë Man.City dhe Tottenham me Burnley dhe Brentford

01/02/2024 13:06

Liverpooli rikthehet të mposhtë Chelsean në “Anfield” pas tri ndeshjeve ku nuk kishte arritur të fitonte.

Skuadra e Jurgen Klopp, regjistroi suksesin numër 200 në kampionat pasi shkatërruan 4-1 londinezët. Në një sfidë emocionuese dhe të jashtëzakonshme që prodhoi gjithçka. Nga katër golat e vendasve, te katër shtyllat e Darwin Nunez, i cili humbi edhe një penallti në “limitet” e pjesës së parë.

20-vjeçari Conor Bradley përjetoi një mbrëmje magjike, me një gol (i pari në Premier League) dhe dy asiste. Aspak mire Chelsea, që përveç dy pretendimeve për penallti dhe golit të Christopher Nkunkut, nuk dhuroi asgjë. Duke mos përballuar dot ritmin dhe “furinë” e kryesuesve të Premier League, në suksesin me “poker” të të cilëve shënuan edhe Diogo Jota, Luis Diaz dhe Dominik Szoboszlai. Armando Broja qëndroi gjatë gjithë ndeshjes në stol për Chelsean. Fitore e lehtë për Manchester Cityn dhe Tottenhamin.

Kampionët e Anglisë thyen 3-1 Burnleyn në “Etihad”, sfidë ku skuadra e Pep Guardiolës shënoi dy gola në pjesën e parë. Julian Alvarez, dërgoi dy herë topin në rrjetën kundërshtare brenda gjashtë minutave. Sapo nisi fraksioni i dytë, një goditje e bukur e Rodrit shndëprroi rezultatin në 3-0. Skuadra e drejtuar nga belgu Kompany realizoi golin e nderit në minutat shtesë me anë të Ameen Al Dakhil.

Festojnë edhe Spurs, të cilët mundën 3-2 Brentfordin. Ekipi mik mbylli 45 minutat e para në avantazh falë golit të Neal Maupay. Gjithsesi, vendasit e nisën pjesën e dytë në mënyrë të shkëlqyer. Udogie, Johnson dhe Richarlison realizuan brenda tetë minutave, duke u dhuruar tifozëve emocione fantastike. Brentfordi shënoi të dytin me Ivan Toney (67’), por vetëm kaq.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA