Grupi i hakerave iraniane ‘Homeland Justice’ kanë sulmuar faqen e Insitutit Shqiptar të Statistikave.
Lajmi është konfirmuar edhe nga INSTAT, ndërsa theksohet se të dhënat e Censit nuk janë objekt i këtij sulmi pasi janë të ruajtura në sisteme të tjera të dedikuara vetëm për këtë qëllim.
“INSTAT informon opinionin publik se në datën 31 janar 2024, sistemet e saj informatike kanë qenë objekt i një sulmi kibernetik të sofistikuar.
INSTAT ka reaguar me shpejtësi dhe profesionalizëm për të parandaluar dhe minimizuar dëmet e mundshme nga sulmi. INSTAT ka ndërprerë menjëherë lidhjet e internetit dhe ka aktivizuar protokollet e emergjencës për të siguruar mbrojtjen e të dhënave dhe informacioneve statistikore.
Aktualisht, nga ekzaminimet e para të kryer nga ekspertët e Teknologjisë së Informacionit, disa nga sistemet e INSTAT janë ndikuar nga sulmi. Përgjigja e menjëhershme e INSTAT përfshin ndihmën e ekspertëve kombëtarë të sigurisë kibernetike, të cilët po bashkojnë burimet e tyre për të kryer një hetim të hollësishëm mbi këtë sulm. Objektivat kryesore përfshijnë përcaktimin e shkaqeve themelore të sulmit, vlerësimin e shtrirjes së dëmit dhe hartimin e zgjidhjeve efektive për të zbutur rreziqet e ardhshme.
INSTAT siguron publikun se të dhënat e Censit nuk janë objekt i këtij sulmi pasi janë të ruajtura në sisteme të tjera të dedikuara vetëm për këtë qëllim.
INSTAT po bashkëpunon ngushtë me autoritetet kompetente për të hetuar dhe identifikuar burimin dhe motivet e sulmit kibernetik dhe gjithashtu për të rikthyer funksionimin normal të sistemeve të saj informatike dhe për të forcuar masat e sigurisë kibernetike.
INSTAT falënderon publikun për mirëkuptimin dhe mbështetjen e treguar në këtë situatë të jashtëzakonshme. INSTAT vlerëson lartë besimin e qytetarëve dhe partnerëve në punën e saj dhe angazhohet të vazhdojë të ofrojë statistika zyrtare të besueshme, të sakta dhe të pavarura”- njofton INSTAT.
Pas hakerimit, webfaqja e INSTAT nuk është më e aksesueshme për qytetarët kur e kërkojnë në Google.
Nga fotot duke se janë marrë të dhëna sensitive siç është numri i llogarive bankare të punonjësve të administratës. Kane publikuar nr personal, emër, mbiemër, nr tel, adrese e-maili, adrese banimi, IBAN.
Top Channel