“Në Kuadër të Dashurisë”, ishte filmi i parë i prodhuar nga Top Media, realizimi i parë i Top Channel Films.
Ky projekt bëri bashkë disa nga aktorët më profesionistë dhe personazhet më në zë të momentit dhe arriti që të korrë një sukses të jashtëzakonshëm.
“Në Kuadër të Dashurisë” e nisi rrugëtimin e tij në një mbrëmje gala më 9 tetor në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, për të vazhduar më pas shfaqjet në të gjithë Shqipërinë. Por jo vetëm kaq, pasi filmi vazhdoi me një tur nëpër Europë dhe botë, duke shkuar në çdo qytet ku ka shqiptarë. Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Greqia, Zvicra, Gjermania, Anglia, Belgjika, Italia, SHBA dhe Kanada, ishin disa nga shtetet që e mirëpritën me krahë hapur këtë film dhe ku në shumë vende ishin të pranishëm dhe yjet e kastit.
Ndjekësit pritën me brohorima kastin e aktorëve të cilët ishin aty për të takuar fansat e tyre nga afër dhe për të bërë fotografi me ta apo për të dhënë autografe. Projekti i suksesshëm me kastin e aktorëve profesionistë, personazheve publike më në zë të momentit dhe një staf i madh që punuan së bashku arritën që të përcjellin tek publiku emocione, humor dhe shumë energji. Por mbi të gjitha, ashtu siç thoshte dhe regjisori Koloreto Cukali, njerëzit të dalin nga salla e kinemasë me shumë më shumë se vetëm kaq.
“Në Kuadër të Dashurisë” theu çdo rekord shikueshmërie, shitje biletash, impakt tek publiku dhe solli padyshim një frymë të re dhe inovatore në kinematografinë e sotme shqiptare. Pas këtij suksesi të jashtëzakonshëmm, një lajm jo shumë i mirë vjen për të gjithë audiencën. Filmi tashmë e ka mbyllur rrugëtimin e tij me shfaqjet në kinema kudo. Duke mbajtur kurorën si filmi më i ndjekur i vitit 2023, jemi krenarë për këtë rrugëtim, sukses dhe këtë projekt tonin që patëm kënaqësinë ta ndanim me të gjithë ju. Së shpejti projekte të tjera na presin… Qëndroni vigjilentë!
Top Channel