Avioni i kuq me dy vende, i quajtur me emrin e bijës së perandorit vendas Haile Selassie, ishte braktisur në vitin 1936 kur Italia pushtoi vendin afrikan.
Tashmë rreth nëntë dekada pasi u vodh nga forcat fashiste te Benito Mussolini, qeveria italiane ka kthyer zyrtarisht avionin e parë të prodhuar nga Etiopia.
Dorëzimi zyrtar i avionit u celebrua sot nga kryeministri i vendit Abiy Ahmed.
“Sot është një ditë krenarie për etiopianët pasi celebrojmë dorëzimin zyrtar të ‘Tsehay’ nga qeveria italiane,” shkruante Abiy në llogaritë e tij në rrjetet sociale, të shoqëruara me foto të avionit klasik.
Mjeti ndërtuar në vitin 1935 gjatë sundimit të perandorit Selassie, ishte një bashkëpunim mes pilotit gjerman Herr Ludwig Weber dhe inxhinierëve etiopianë. Në dhjetor 1935, Weber kreu dhe fluturimin e parë të avionit, duke mbuluar një distancë prej 50km i ngritur nga kryeqyteti Addis Ababa. Fluturimi raportohet se zgjati 7- minuta.
Më kohën kur mjeti ishte braktisur në maj 1936, forcat italiane po afroheshin në kryeqytetin etiopian, ndërsa avioni kishte kryer një total prej 30 orë fluturime.
Historianët thonë se Mussolini urdhëroi dërgimin e tij në Itali, pasi forcat e tij pushtuan Etiopinë në 1935, e cila njihej asokohe si Abisinia.
Avioni përshkruar nga zyrtarët si një “prototip unik”, ka qëndruar në muzeumin e forcave ajrore italiane që prej vitit 1941.
Ministri i mbrojtjes Guido Crosetto, tha: “Ky dorëzim jep mesazhin e fortë se pas samitit Itali-Afrikë, ne duam të theksojmë lidhjen e fortë mes vendeve tona dhe të theksojmë rëndësinë e dialogut dhe të bashkëpunimit ndërkombëtar”.
Liderë dhe përfaqësues të 45 kombeve afrikane përfshi presidentë nga Tunizia, Senegali, Kenia, Kongo, Zimbabve e Somalia, ishin sot në samitin në Romë për të dëgjuar detajet e asaj që Italia quan “Plani Mattei”, me politikat e biznesmenit të njohur italian Enrico Mattei, kreu i grupit energjitik Eni që në vitet 1950 njihej për nxitje të mbështetjes së drejtë të vendeve afrikane në lidhje me burimet natyrore dhe ekonomike.
Top Channel