Nga dita e enjte e një shkurtit do hyjë në fuqi rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës për ndalimin e qarkullimit në Kosovës të valutës së Serbisë, dinarit.
Kjo ka shtuar presionin ndërkombëtar mbi institucionet e Kosovës, ku vendet e QUINT-it përmes ndërmjetësit të dialogut Miroslav Lajçak kanë kërkuar shtyrje të afatit dhe negocim në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë.
Një ditë pas, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se ndalimi i qarkullimit të dinarit nuk është çështje e negociueshme.
“Euroja është valutë e cila na vjen nga Bashkimi Evropian ne nuk jemi duke i thënë askujt merr valutën lekë të Shqipërisë as ndonjë valutë të re dardanë të Kosovës por, euron. Euro si mjeti i vetëm i pagesës dhe shitblerjes i përcaktuar në mënyrë të qartë në RKS nuk është një çështje e negociueshme”, tha Kurti.
Ndryshe nga kryeministri, presidentja e Kosovës dha opsione për zbatim të vendimit dhe respektim të kërkesës së aleatëve.
“Nganjëherë nga aspekti teknik deri në momentin e realizimit duhet më shumë se një muaj ose dy. Për këto çështje do të ketë një dakordim këto dy ditë. Unë jam për atë që zbatimi të jetë i plotë dhe jo vetëm në letër dhe të gjithë e dimë se për zbatim na duhet edhe përkrahja e aleatëve”, tha Vjosa Osmani.
Edhe guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës Ahmet Ismaili mbanë qëndrimin se vendimet e institucionit që ai e udhëheqë duhet të respektohen.
“Qysh me shty, çka me shty, a i bie që me shty që të thuhet që prej nesërmit mund të hyjë një automjet pa rregull, i palicensuar, kush mund ta marrë këtë përgjegjësi, a është dikush prej BQK-së që mund ta presë këtë. Kjo mund ta ketë një kohë tranzicionit dhe ne nuk po merremi individualisht me qytetarët serb. Ata janë të mirëseardhur e mirëpritur t’i bashkëngjitën sistemit financiar të Kosovës”, deklaroi Ahmet Ismail-guvernatori i Bankës Qëndrore të Kosovës.
Kosova që nga viti 2002 ka aprovuar si valutë të vetme euron, çka garantohet edhe me kushtetutë. Por, përkundër kësaj në komunat me shumicë serbe si mjet pagese përdoret valuta e Serbisë dinari.
Top Channel