Liderët e partive shqiptare të Maqedonisë së Veriut në Prishtinë, priten nga Kurti! Çfarë u diskutua mes tyre

30/01/2024 22:14

Pozita e presidentit të ardhshëm të Maqedonisë së Veriut ishte temë e diskutimit të katër udhëheqësve shqiptarë të Maqedonisë së Veriut dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, të martën në Prishtinë.

Sipas një komunikate të Qeverise së Kosovës, udhëheqësit nga Maqedonia e Veriut propozuan që president i ardhshëm i këtij shteti duhet te jetë nga mesi i shqiptareve, “i cili mishëron bashkëjetesën mes etnive dhe garanton rrugën evropiane të Maqedonisë së Veriut”.

Takimi i Kurtit me Arben Taravarin, kryetar i Aleancës për Shqiptarët (ASh), si dhe udhëheqësit e Lidhjes Evropiane për Ndryshim (LEN), kryetarin e Lëvizjes BESA, Bilall Kasami, kryetarin e Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti, dhe kryetarin i Alternativës, Afrim Gashi, vjen pak muaj para zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale në shtetin fqinj.

Në fund të dhjetorit të vitit të kaluar, tri nga katër partitë shqiptare të Maqedonisë së Veriut që Kurti i priti sot në takim – Lëvizja Besa, Alternativa dhe Lëvizja Demokratike – paralajmëruan listë të përbashkët zgjedhore për zgjedhjet e 8 majit.

Atë muaj, këshilltari i Kurtit dhe anëtari i partisë së tij Lëvizja Vetëvendosje, Bekim Qoku, i cili ka edhe shtetësi maqedonase dhe ishte i pranishëm në takimin e sotëm, kishte thënë se Vetëvendosje do t’i bashkohet kësaj liste.

Sipas njoftimit, në takim u diskutua edhe “situata shoqërore e ekonomike e komunitetit shqiptar në Maqedoni, nevoja për demokraci e stabilitet si dhe përmirësim e mbarëvajtje të raporteve mes komuniteteve etnike në atë vend, gjë të për të cilën Kosova vetë është shembull, por edhe e promovon dhe e mbështet”.

Kryeministri i deritanishëm i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, njëherësh kryetar i Lidhjes Social-Demokrate (LSDM), ishte shprehur i befasuar me këtë angazhim të Vetëvendosjes në zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut.

“Kjo mendoj se nuk paraqet një dinamikë të dëshiruar”, tha ai më 25 dhjetor.

Një tjetër reagim më 17 janar bëri ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, duke thënë se “përfshirja e politikës zyrtare të Kosovës në skenën politike të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, mund të reflektohet në fragmentimin e politikës shqiptare – tendencë e nxitur nga faktorë të jashtëm”.

Vetëvendosja nuk është e regjistruar si subjekt politik në Maqedoninë e Veriut, por bashkëpunimi mes saj dhe tri partive opozitare pritet të konkretizohet me lista të përbashkëta për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen në Maqedoninë e Veriut më 8 maj të vitit 2024.

Sipas Kodit Zgjedhor të Maqedonisë së Veriut, në zgjedhje mund të marrin pjesë vetëm partitë e regjistruara në regjistrin qendror. Ndërsa, lista zgjedhore mund të përmbajë emrin e ndonjë koalicioni, siç është edhe Lidhja Evropiane për Ndryshim, por në brendi të saj duhet të theksohen emrat e partive politike që përbëjnë koalicionin.

Top Channel