Një 25-vjeçar ka rënë në prangat e policisë së Kurbinit, ndërsa është shpallur në kërkim babai i tij.
Gjatë operacionit të koduar “Gold and Guns” ra në pranga i riu Geri Lika dhe u shpall në kërkim 48-vjeçari Zyhdi Lika
“Në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional mbarëkombëtar “Sundimi i ligjit”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin, bazuar në inteligjencën policore dhe pas një pune hetimore të ndjekur me metoda speciale në bashkëpunim me Prokurorinë, organizuan dhe finalizuan me mbështetjen e Forcës Kombëtare të Sigurisë (Njësia Shkodër), operacionin policor të koduar “Gold and Guns”. Në kuadër të operacionit u arrestua në flagrancë shtetasi G. L., 25 vjeç, si dhe u shpall në kërkim babai i tij, shtetasi Z. L., 48 vjeç”, sipas policisë.
Policia gjatë kontrollit në banesën e tyre gjeti dhe sekuestroi 2 armë zjarri pistoleta dhe municion luftarak; 1 armë gjahu teke (Berreta) dhe një sasi fishekësh për armë gjahu; 1 palë dylbi si ato të armës së zjarrit snajper; Një sasi bizhuterish të dyshuara të vjedhura; 2 palë dylbi, 2 automjete dhe 2 targa franceze të dyshuara të vjedhura.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.
Top Channel