Më shumë se 50.000 profile të rreme në platformën X, më shumë se 1 milionë tweet në gjermanisht: Rusia duket se është përpjekur të rrisë me një fushatë masive pakënaqësinë e qytetarëve gjermanë për qeverinë.
Ministria e Jashtme e Gjermanisë ka zbuluar një fushatë të madhe disinformuese ruse në internet, në platformën X, ish-Twitter. Qëllimi i fushatës ka qenë rritja e pakënaqësisë me punën e qeverisë në Berlin dhe minimin e mbështetjes për Ukrainën, raporton “Spiegel”.
Me porosi të Ministrisë Jashtme të Gjermanisë ekspertët kanë analizuar me një softuer të posaçëm shërbimin e mesazheve të shkurtra, X dhe kanë gjetur një rrjet të madh profilesh të rreme përdoruesish që shpërndanin përmbajtje në gjuhën gjermane.
Në hapësirën kohore nga 20 dhjetor deri në 20 janar ekspertët kanë identifikuar më shumë se 50.000 llogari të rreme në platformën X, që kanë publikuar më shumë se 1 milionë tweets në gjuhën gjermane.
Në fokus mbështetja për Ukrainën
Në mesazhet ngrihet shpesh akuza se qeveria gjermane injoron popullin e saj për të mbështetur Ukrainën, ka raportuar “Spiegel”, duke iu referuar burimeve të besueshme nga analiza. Ministria e Jashtme po ndjek prej kohësh përmes analistëve të informatikës debatet në mediat sociale mbi temat e politikës së jashtme. Qëllimi është të zbulohet influenca nga jashtë. “Disinformimi është kthyer në një faktor global kërcënues”, ka thënë një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme për “Spiegel”. “Ai përdoret me qëllim nga ata që nuk ndajnë vlerat tonë për të destabilizuar shoqëritë në tërësi, jo vetëm demokracitë perëndimore, por në tërësi.”/DW
Top Channel