Të tjera dëshmi kanë dalë lidhur me vrasjen e Liridona Ademajt në Kosovë, të cilat kanë nxjerrë në dritë prapaskenat e ngjarjes që tronditi vendin dy muaj më parë.
Pas dëshmisë së Kushtrim Kokallës, i arrestuar i tretë si i dyshuar për përfshirje në vrasje, që pranoi se Naim Murseli e ka lutur që të kryejë vrasjen e 30-vjeçares, ka dëshmuar edhe babai i Naimit.
Shaban Murseli i ka deklaruar para grupit hetues se ka qenë në se ka qenë në dijeni për një problem familjar të djalit të tij Naim Murselit, rreth një vit para ekzekutimit të Liridona Ademajt.
Në një dëshmi dhënë hetuesve të Policisë së Kosovës më 1 dhjetor të vitit të kaluar, babai i Naim Murselit ka thënë se djali i tij kishte shkëmbyer disa mesazhe me partneren e Kushtrim Kokallës, kushëririt të tij.
Mesazhet, në të cilat pretendohet se ka vetëm disa foto normale, kamë bërë çështje diskutimi në familjen Murseli, ka rrëfyer kryefamiljari.
“Unë përveç një problem që e ka pas Naimi me djalin e hallës se tij K. para një viti që ka pas disa masazhe të shkëmbyer përmes telefonit gjegjësisht me B., gruan e K.. Sipas njohurive që unë i kam pas për këtë rast nuk ka pasur diçka me shume mes Naimit dhe B. përveç disa shkrimeve dhe fotove jo intime, foto normale”, ka thënë Shaban Murseli në dëshminë e dhënë në Polici më 1 dhjetor.
Shaban Murseli ka deklaruar po ashtu se Naimi dhe Liridona janë takuar me vëllain e Kushtrim Kokallës e bashkëshorten e tij dhe e kanë mbyllur këtë çështje, por nga ky rast, janë ftohur marrëdhëniet mes kushërinjve.
“Mirëpo e di qe Naimi me Liridonën dhe K. me B. janë marrë vesh që kjo gjë të mbyllet me kaq. Nga ky rast Naimi i ka ftohur marrëdhëniet me në një mënyrë me mua dhe familjen”, ka thënë ai.
Në dëshminë e tij para hetuesve policorë, Shaban Murseli ka rrëfyer momentin kur i është komunikuar lajmi i vrasjes së Liridona Ademajt.
“Unë për këtë rast jam njoftuar ditën e vrasjes. Më ka thirrë djali i dytë Mërgimi dhe më ka treguar për rastin ku ka qenë rreth orës 22:00 e datës 29.11.2023, dhe me ka thënë ‘babë a ke fol me Naimin se po thonë se e kanë vra Lilin’, ndërsa unë jam shokuar nga ky lajm”, ka rrëfyer ai për median Paparaci.
Ai ka thënë se pas ceremonisë së varrimit të Liridona Ademajt, policia kreu bastisje në shtëpinë e tij dhe njëri nga hetuesit policor i tregoi se djali i tij, Naimi, është arrestuar nën dyshimin për përfshirje në vrasje.
“Pastaj pas varrimit diku reth orës 16:30 kanë ardhur disa vetura të Policisë në oborrin tonë ku e kanë marrë Naimin për Prishtinë. Ndërsa gjatë bastisjes së shtëpisë nga Policia njëri nga hetuesit e Prishtinës më ka ndarë vetëm në një dhomë ku ma ka kumtuar rastin dhe më ka njoftuar se Naimi është i përfshirë në vrasje dhe se është i arrestuar. Nga ky njoftim kemi qenë të gjithë të tronditur shumë nga kjo dhe nuk kemi ditur as çka të bëjmë”, ka thënë Murseli.
Edhe Murseli në dëshminë e tij ka përmendur rastin e problemit familjar të shkëmbimit të mesazheve me partnerin e Kushtrim Kokallës.
“Një problem familjar ku kanë dal në shesh disa SMS-a me një të afërt. Këta SMS-a ia kanë dërguar bashkëshortes sime dhe kjo e ka rënduar tej mase lidhjen tonë martesore. Pas kësaj ngjarje, presioni dhe kontrolla ndaj meje është shtuar ku unë kam kërkuar ndarjen mirëpo kategorikisht bashkëshortja nuk ka pranuar dhe në një ndejë në Malmo të Suedisë, bashkëshortja më ishte hakmarrë duke më tradhtuar me një person të huaj aty”, ka thënë ai para hetuesve.
Top Channel