Pianisti i mirënjohur italian Stafano Bollani do të mbajë një koncert piano solo në skenën e Teatrit Kombëtar të Operas dha Baletit mbrëmjen e së hënës.
Për herë të parë në Tiranë dhe në përballjen e parë me publikun shqiptar ai shpreh emocionet e tij.
“Nuk kam qenë më herët në Shqipëri. është hera ime e parë. Unë jam gjithmonë kurioz të njoh një publik të ndryshëm. të shoh si do më presë. kështu që jam më kuriozi nga të gjithë në fakt. Publiku është kurioz per mua, por nga ana tjetër jam unë më shumë se sa ata”, tha Stafano Bollani.
Ai nuk ka pasur asnjë bashkëpunim të mëhershëm me artistë shqiptare, dhe ka dëshirë që pas koncertit solo të pasojë një tjetër në bashkëpunim me orkestrën e teatrit tonë.
“Gjëja më e bukur në të bërit muzikë është pikërisht kjo mundësi për të dialoguar menjëherë me këdo. Nuk ka rëndësi çfarë kombësie dhe moshe ka, sepse muzika është një gjuhë universale që mund të kuptohet në mënyrë të menjëhershme”, tha Bollani.
Stefano Bollani ka lindur në Milano në vitin 1972 dhe është rritur në Firence. Ai filloi të luante piano në moshën 6-vjeçare dhe u regjistrua në Konservatorin e Firences pesë vjet më vonë, ku mori një trajnim klasik të muzikës së vjetër.
Ai filloi të luante me trumpetistin e madh italian Enrico Rava në vitin 1996, duke konfirmuar një angazhim më të thellë ndaj xhazit. Se çfarë do të luaj për publikun tonë e le surprizë.
“Zakonisht listën e repertorit të koncertit e vendos pasditeve dhe në mbrëmje e ndryshoj përgjatë koncertit. Sajoj edhe në minutë të fundit sepse mua ajo që më pëlqen është mundësia të luaj në të tashmen”, tha ai.
Top Channel