Gjykata e Posaçme ka lënë në burg kreun e dhomës së avokatisë në Korçë, Arben Lena që akuzohet për ushtrim të ndikimit të paligjshëm.
Në seancën për caktimin e masës Lena mohoi akuzat, duke pretenduar se arrestimi i tij është i pabazuar. Lena akuzohet si pjesë e grupit të 5 personave që tentuan të korruptonin me 5 mijë euro gjyqtarët e Apelit të Korçës për të liruar nga paraburgimi Bledar Kozici i arrestuar për trafikim refugjatësh.
NJOFTIM PËR MEDIAT
1. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar më datë 28.01.2024 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: Vleftësimin e ligjshëm të ndalimit ndaj personit nën hetim Arben Lena, për kryerjen e veprës penale të “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 245/1/4-25 i K.Penal; Caktimin e masës së sigurimit personal “Arresti në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, ndaj personit nën hetim.
2. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarja Elsa Ulliri bazuar në Nenet 238, 244, 253, 258 e vijues të K.Pr.Penale, me vendimin nr. 8, datë 29.01.2024, vendosi:
1. Pranimin e kërkesës.
2. Vleftësimin e ligjshëm të ndalimit të personit nën hetim Arben Lena, të kryer me datë 27.01.2024, ora 14.50, sipas procesverbalit “Për zbatimin e urdhërit të prokurorit të datës 26.01.2024”.
3. Caktimin e masës së sigurimit personal “Arresti në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, për personin nën hetim Arben Lena, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 245/1/4-25 i K.Penal, duke urdhëruar mbajtjen e tij në një institucion paraburgimi.
4. Kundër këtij vendimi lejohet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda 5 ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e komunikimit të vendimit.
U shpall sot në Tiranë, me datë 29.01.2024.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar
Top Channel